Një grua në krye të Gjermanisë? Merkel mbështet idenë për presidenten e parë

02 Nov 2026 • 09:55
Shpërndaje:

Gjermania po diskuton mundësinë që për herë të parë në historinë e saj të zgjedhë një grua në postin e presidentit federal, ndërsa Frank-Walter Steinmeier nuk mund të kërkojë një mandat të tretë radhazi.

Ish-kancelarja Angela Merkel është shprehur në mbështetje të kësaj ideje, duke theksuar se mungesa e një gruaje në krye të shtetit duhet të merret seriozisht në konsideratë gjatë zgjedhjes së pasardhësit të Steinmeierit.

Në një intervistë për MagentaTV, Merkel tha se njeh gra të afta për ta ushtruar këtë detyrë, por nuk përmendi emra konkretë.

Reklamë Ola

Emrat që po diskutohen

Mes emrave të përmendur si kandidate të mundshme është kryetarja e Parlamentit të Bavarisë, Ilse Aigner, e cila ka mbështetjen e drejtuesit të CSU-së, Markus Söder.

Reklamë InterMedika

Në diskutim janë gjithashtu kryetarja e Bundestagut, Julia Klöckner, ministrja e Arsimit, Karin Prien, dhe ish-ministrja e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer. Të tria vijnë nga radhët e CDU-së.

Përmendja e këtyre emrave nuk përbën ende një vendim për kandidaturën që do të mbështesë koalicioni qeverisës.

Propozimi me gjasat më të mëdha për të siguruar mbështetje pritet të vijë nga blloku konservator CDU/CSU i kancelarit Friedrich Merz, i cili qeveris në koalicion me socialdemokratët e SPD-së.

Duke qenë se këto tri parti kontrollojnë shumicën e delegatëve në Asamblenë Federale, një kandidaturë e përbashkët e tyre do të konsiderohej favorite për të fituar.

Si zgjidhet presidenti gjerman?

Presidenti i ri pritet të zgjidhet më 30 janar nga Asambleja Federale, e njohur si Bundesversammlung. Ky organ kushtetues mblidhet posaçërisht për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Ai përbëhet nga të gjithë deputetët e Bundestagut dhe një numër i barabartë delegatësh të zgjedhur nga parlamentet e 16 landeve gjermane.

Delegatët e landeve mund të jenë politikanë, por edhe personalitete të kulturës, sportit, shkencës apo fushave të tjera të jetës publike. Pas përfundimit të procesit zgjedhor, Asambleja shpërndahet.

Presidenti federal nuk drejton qeverinë dhe nuk ka kompetencat e gjera ekzekutive që ky post mbart në disa vende të tjera. Roli i tij është kryesisht përfaqësues, me rëndësi në ruajtjen e unitetit kombëtar dhe në përfaqësimin e shtetit brenda e jashtë vendit.