Udhëheqësit evropianë po ndjekin strategjinë e gabuar ndaj presidentit amerikan Donald Trump, sipas Anthony Scaramucci-t, ish-drejtorit të komunikimit të Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të tij të parë.
“Duhet të jeni të vendosur me të. Ai nuk i respekton njerëzit që nuk janë”, deklaroi Scaramucci në një intervistë për gazetën gjermane Welt am Sonntag.
Ai krahasoi dy qasje: atë të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe atë të kryeministrit kanadez, Mark Carney.
Sipas Scaramucci-t, Carney po e menaxhon më mirë marrëdhënien me Trumpin, duke kundërshtuar presionin amerikan dhe duke ruajtur mbështetjen e qytetarëve kanadezë, edhe përballë vështirësive ekonomike.
“Rutte, nga ana tjetër, po bën një gabim të madh. Kur shmangni qëndrimet e qarta ose i bëni lajka, gjithçka që arrini është të humbni respektin e tij. Nuk fitoni asgjë”, tha ai.
Rutte e ka lavdëruar shpesh presidentin amerikan. Në një intervistë për POLITICO gjatë verës, ai deklaroi se e pëlqente Trumpin dhe se veprimet e tij ndaj NATO-s ishin lajm i mirë për aleancën.
Debati zhvillohet në sfondin e lëshimeve që, sipas kritikëve, Evropa ka bërë ndaj Uashingtonit. Marrëveshja tregtare BE–SHBA është kritikuar si më e favorshme për palën amerikane, ndërsa aleatët e NATO-s ranë dakord për objektivin e shpenzimeve prej 5% të PBB-së deri në vitin 2035.
Carney, në të kundërt, u largua nga negociatat tregtare me SHBA-në, duke deklaruar se Kanadaja nuk mund t’i pranonte kushtet. Ai premtoi gjithashtu kundërpërgjigje me tarifa të barasvlershme ndaj masave amerikane.
Scaramucci kritikoi edhe republikanët në Kongres, duke i akuzuar se nuk po ushtrojnë kontrollin e nevojshëm ndaj presidentit.
Ai përmendi mungesën e kundërshtimit ndaj vendimit të Trumpit për të përjashtuar nga zbatimi disa dispozita të rëndësishme të ligjit për sanksionet ndaj Rusisë.
Sipas Scaramucci-t, ligjvënësit kanë mundësi ta kundërshtojnë presidentin, por nuk po e bëjnë këtë. Ai e cilësoi sjelljen e Trumpit si përdorim të taktikave të presionit dhe frikësimit.


