Rama: Kufizime për të miturit në rrjetet sociale, familjet të paguajnë dëmet e fëmijëve

30 Oct 2026 • 19:07
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar kufizime moshe për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit dhe ka propozuar penalitete financiare për familjet kur fëmijët shkaktojnë dëme.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, ai tha se do të nisë një diskutim me prindërit, mësuesit dhe shkollat për kufizimet në platformat sociale. Rama nuk përcaktoi një prag konkret moshe.

“Nuk mund të mos e vendosim edhe penalitetin financiar për familjen për dëmet e fëmijëve”, deklaroi kryeministri, duke shtuar se po ndiqen përvojat e vendeve si Franca dhe Italia.

Reklamë Ola

Ai theksoi se përgjegjësia e shtetit ndaj një të mituri nuk përfundon me masën ndëshkuese, por kërkon mbështetje për fëmijën dhe familjen.

“Përpara sesa të gjejmë se kush i përdori dhe i keqpërdori të rinjtë, duhet të gjejmë sesi familjet e tyre duhen ndihmuar”, u shpreh Rama.

Reklamë InterMedika

Kryeministri kërkoi zgjerimin e ndihmës për familjet në nevojë. Ai përmendi skemën mujore të bonusit të bebes, mbështetjen për nënat e papuna kryefamiljare dhe rritjen e ndihmës për studentët nga familje në vështirësi ekonomike, e cila, sipas tij, do të arrijë në gjysmën e pagës minimale.

Duke folur për ndikimin e platformave digjitale, Rama argumentoi se rrjetet sociale kanë nxitur izolimin dhe se nevojiten më shumë mundësi për ndërveprim të drejtpërdrejtë mes të rinjve.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për zgjerimin e aktiviteteve sportive dhe kulturore për fëmijët, si pjesë e një plani të përbashkët me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.