Rreth 150 mijë persona janë regjistruar për të marrë pjesë në protestat e së shtunës në Gjermani, të organizuara nga lëvizja “GenZ regelt!”, në kuadër të mobilizimit të të rinjve në disa vende evropiane.
Demonstratat do të zhvillohen në rreth 30 qytete, përfshirë Berlinin, Frankfurtin dhe Këlnin. Në qendër të kërkesave janë kostoja e jetesës, gjendja e shkollave dhe kundërshtimi i shkurtimeve në shërbimet publike.
Protestuesit kritikojnë uljen e financimit për arsimin, kulturën dhe shëndetësinë, ndërsa kundërshtojnë rritjen e shpenzimeve për armatimin dhe politikat që, sipas tyre, favorizojnë korporatat e mëdha.
Shqetësim përbën edhe modeli i ri i shërbimit ushtarak vullnetar, pasi një pjesë e të rinjve druhen se ai mund t’i hapë rrugën rikthimit të shërbimit të detyrueshëm.
Organizatorët kundërshtojnë dhunën
Lëvizja ka deklaruar se grupet ekstremiste, simbolet antikushtetuese, racizmi dhe gjuha e urrejtjes nuk kanë vend në demonstratat e saj.
Autoritetet kanë angazhuar mijëra efektivë policie, ndërsa disa dyqane luksoze kanë mbuluar vitrinat me dërrasa si masë parandaluese ndaj grabitjeve të mundshme.
Protestat përkojnë me Halloween-in dhe zhvillohen pas trazirave që shoqëruan disa demonstrata në Francë. Autoritetet gjermane janë në kontakt me homologët francezë dhe italianë për shqetësimet se grupe radikale nga jashtë mund t’u bashkohen tubimeve.
Megjithatë, Ministria e Brendshme gjermane ka theksuar se deri tani nuk ka prova për plane konkrete dhune. Ajo ka kërkuar të bëhet dallimi mes protestuesve paqësorë dhe grupeve ekstremiste që mund të tentojnë të marrin nën kontroll demonstratat.
Eksperti i lëvizjeve protestuese në Universitetin Humboldt, Christian Volk, vlerëson se pakënaqësia e të rinjve mund të krijojë një lëvizje të rëndësishme në Gjermani. Sipas tij, ata kërkojnë që përvojat dhe pritshmëritë e tyre për të ardhmen të dëgjohen.


