Meloni përjashton aleancën me Vannaccin: Dua të qeveris pa shantazhe

30 Oct 2026 • 18:14
Shpërndaje:

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka përjashtuar një aleancë zgjedhore me ish-gjeneralin Roberto Vannacci dhe partinë e tij “Futuro Nazionale”, duke deklaruar se synon të vazhdojë qeverisjen pa presione politike.

“Dua t’u kërkoj italianëve të më japin mundësinë të vazhdoj të qeveris pa shantazhe. Nuk kam qenë e shantazhueshme më parë, nuk kam lejuar të më bëjnë shantazh gjatë këtyre viteve në qeveri dhe nuk kam ndërmend ta lejoj as në të ardhmen”, tha ajo në një intervistë me gazetarin Bruno Vespa.

Meloni shprehu synimin për të garuar me koalicionin aktual të qendrës së djathtë, duke e zgjeruar me lëvizje të reja qytetare.

Reklamë Ola

Ajo kritikoi vendimin e Vannaccit për t’u larguar nga Liga, ku mbante postin e zëvendëssekretarit, dhe për t’u shkëputur nga koalicioni qeverisës.

Sipas kryeministres, deputetët që e ndoqën ishin zgjedhur me votat e qendrës së djathtë, por tashmë votojnë kundër qeverisë së bashku me forcat e drejtuara nga Giuseppe Conte, Elly Schlein, Matteo Renzi dhe Nicola Fratoianni.

Reklamë InterMedika

Meloni pretendoi se objektivi i “Futuro Nazionale” është humbja e saj në zgjedhje, çka, sipas saj, do t’i hapte rrugën ardhjes së të majtës në pushtet.

“Një parti që krijohet për këtë qëllim, mund ta quajë veten si të dëshirojë, por e djathtë nuk është”, deklaroi ajo.

Vannacci i kundërshtoi akuzat gjatë një interviste në Rai Radio 1, duke pyetur: “Përse Meloni dëshiron të fitojë e majta? Le të na e shpjegojë”.

Ai tha se mbetet i hapur për një aleancë me qendrën e djathtë, nëse respektohen kushtet dhe kufijtë politikë të partisë së tij. Vannacci shtoi se vendimet përfundimtare do të merren më pranë zgjedhjeve.