Një dekadë e gjysmë më parë, revista Time përzgjodhi “Protestuesin” si njeriun e vitit. Nga Kalifornia në Kajro, e përjavshmja solli portretet e më shumë se 100 pjesëmarrësve në demonstratat publike përgjatë vitit 2011: njëri ishte fotografuar me një maskë kundragazi të zezë e portokalli, ndërsa nga një tjetër, që fliste arabisht, revista “arriti të kuptonte fjalët Facebook dhe Twitter”. Së bashku, ata formonin figurën kolektive që u bë heroi i vitit.
Sot, zgjedhja e Time duket njëkohësisht aktuale dhe e largët. Ndërsa një valë e re protestash trondit Perëndimin, pak ka mbetur nga romantizmi i revistës për rebelimin publik. Dëshpërimi, më shumë sesa ngazëllimi, është tashmë ndjenja mbizotëruese me të cilën komentatorët perëndimorë i shohin protestat, teksa qytetarët e rinj dalin në rrugë anembanë Europës.
Ndonëse të shpërndara gjeografikisht, shpërthimet e tanishme shfaqin një përkim të jashtëzakonshëm në kohë. Në Francë, protestat studentore ua kanë lënë vendin kryengritjeve më të dhunshme, ndërsa të rinjtë kanë zënë sheshet në Madrid dhe Lisbonë. Në Shqipëri, protestuesit antiqeveritarë i vunë flakën Gjykatës së Lartë, ndërsa në qytetet italiane policia u përgatit për përplasje me demonstruesit.
Ndryshe nga qytetarët e indinjuar që portretizonte Time në vitin 2011, protestuesit e sotëm nuk futen lehtë në kategori politike. Në të majtë, organizatorët janë distancuar nga ata që ua morën në dorë marshimet e protestës me plaçkitje pa dallim. Në të djathtë, komentatorët i kanë paraqitur protestuesit si ekstremistë apo si të rinj me prejardhje emigrante, që gjoja synojnë ta rrëzojnë Perëndimin duke goditur dyqanet e luksit njëri pas tjetrit.
Këto interpretime vështirë të besohen. Përkundrazi, protestat shfaqen si një formë krejt bashkëkohore e politikës jashtë institucioneve, tipike për epokën tonë hiperpolitike. Duke iu kundërvënë përpjekjeve për t’u përvetësuar politikisht, si nga e majta ashtu edhe nga e djathta, ato shprehin mungesën e shpresës së një brezi. Protestat e kanë futur Europën në ankth. Megjithatë, duke pasur parasysh rrethanat që i ushqejnë, ato duken të destinuara të përsëriten.
Disa muaj pasi Time shpalli njeriun e vitit, sociologu gjerman Wolfgang Streeck mbajti një leksion në Frankfurt mbi atë që e quajti “kriza e vonuar e kapitalizmit demokratik”. Në të, ai përshkroi një gjendje të sëmurë të financave shtetërore në Europë, që ishte përkeqësuar gradualisht që nga fundi i shekullit XX. Në kushtet e rënies së ritmeve të rritjes ekonomike, argumentonte Streeck, qeveritë gjendeshin të zëna mes barrikadës dhe tregut të obligacioneve, pa ndonjë zgjidhje të efektshme në horizont.
Diagnoza e Streeckut e ka ruajtur thuajse të paprekur aktualitetin e saj në vitin 2026. Madje, kriza që ai identifikoi duket se vetëm është thelluar. Pas politikave monetare më lehtësuese të viteve 2010, normat e interesit po rriten sërish në mbarë Perëndimin, duke shtuar kostot e huamarrjes për qeveritë. Europianët që kërkojnë me ngulm më shumë shpenzime publike dhe shërbime më të mira ka të ngjarë të zhgënjehen. Politikat shtrënguese, të cilave nuk iu dha kurrë fund plotësisht, pritet të rikthehen me gjithë forcën e tyre.
Në fakt, grumbullit të problemeve të identifikuara nga Streecku tashmë i janë shtuar trysni të tjera. Në vitin 2011, shtetet europiane ende nuk ishin nën presion për të siguruar para për riarmatim dhe armiqësitë në Ukrainë do të nisnin tre vjet më vonë. Lufta izraelito-amerikane kundër Iranit, me të gjitha pasojat e saj inflacioniste, dukej një skenar i zymtë hipotetik. Krizat klimatike dhe konkurrenca kineze dukeshin më shumë si kërcënime që po merrnin formë sesa si probleme të menjëhershme. Ajo që historiani Adam Tooze e ka quajtur “polikrizë” — pra, tërësia e krizave të mbivendosura që përndjekin sot sistemet politike europiane — nuk ishte shfaqur ende plotësisht.
Edhe repertori i protestës ka ndryshuar. Në vitin 2011, entuziastët e platformave të reja të rrjeteve sociale nxituan t’i quanin revoltat në Europë dhe Afrikën e Veriut “revolucione të Facebook-ut”, duke i parë kryesisht si kryengritje digjitale. Etiketimi dukej i cekët që atëherë: më shumë një marifet marketingu në shërbim të kompanive teknologjike, të etura për të reklamuar meritat e tyre demokratike, sesa një përshkrim besnik. Mbi të gjitha, ai fshihte faktin se sindikatat dhe rrjetet e lagjeve kishin luajtur një rol po aq të rëndësishëm sa platformat në mobilizimin e njerëzve.
Sot, ky etiketim duket më pak i cekët. Partia e majtë e Jean-Luc Mélenchonit, Franca e Panënshtruar, arriti të mobilizonte dhjetëra mijëra nxënës dhe mësues për të bllokuar funksionimin e shkollave të mesme në të gjithë vendin. Megjithatë, një pjesë e madhe e veprimtarisë protestuese nisi jashtë rrjeteve zyrtare të së majtës, e nxitur përmes TikTok-ut ose aplikacioneve të komunikimit. E njëjta gjë vlen edhe për Brukselin, ku drejtuesit sindikalë e kanë pasur të vështirë të mbajnë ritmin e thirrjeve në internet për t’u tubuar. Dallimi thelbësor është se brezi i tanishëm i protestuesve është rritur me këto platforma, në botën e rrjeteve sociale, dhe nuk është rishtar në përdorimin e tyre.
Si rrjedhojë, shumë prej protestuesve veprojnë jashtë ndikimit të organizatave tradicionale, si sindikatat dhe partitë. Kjo padyshim u jep demonstratave gjallërinë dhe përmasat e tyre, por krijon terren edhe për mungesë disipline. Për vëzhguesit e jashtëm, bëhet më e vështirë të dallojnë se kush është pjesë e lëvizjes dhe kush jo, siç ndodh me lëvizjet më të decentralizuara. Edhe grupe më të strukturuara, si Jelekët e Verdhë në Francë, të cilët iu bashkuan protestave fundjavën e kaluar, vuajnë nga mungesa e organizimit të rreptë në veprimet e tyre.
Për më tepër, kalimi te trazirat dhe plaçkitjet sugjeron synime që kanë më pak lidhje me të drejtat sociale apo shërbimet publike. Për analistë si Ivan Krastev, në sfondin e këtyre kryengritjeve qëndron një ndjesi më e gjerë e mungesës së një të ardhmeje, e prekshme edhe në ankthet e kontinentit për migracionin dhe rënien demografike. Në këtë gjendje të zymtë, trazirat shprehin një mendësi sipas së cilës fitimi i njërit është humbja e tjetrit: pjesëmarrësit mendojnë se ndërtimi i një fuqie kolektive të qëndrueshme ka pak gjasa të realizohet dhe se veprimi i drejtpërdrejtë premton më shumë.
Kjo mungesë shprese thellohet nga një treg pune ku diplomat duken pa vlerë, ndërsa inteligjenca artificiale pritet ta copëtojë strukturën e jetës së punës në Europë. Ndërsa mobilizimet masive të shekullit XX zhvilloheshin në horizontin e një të ardhmeje të mundshme e plot shpresë, horizonti kohor i protestës bashkëkohore është tkurrur drejt synimeve më të menjëhershme: më shumë financim, marrje mallrash. “Të kuptosh gjithçka do të thotë të falësh gjithçka”, siç thonë francezët. Megjithatë, përballë perspektivave kaq të zymta, është e vështirë ta cilësosh të paarsyeshëm njëfarë nihilizmi rinor.
Në politikë, parashikimet i ngjajnë paksa astrologjisë. Edhe nëse një skenar si ai i Serbisë është i vështirë të përfytyrohet, trazirat e tanishme në Europë padyshim do të kenë pasoja afatshkurtra, ndoshta duke e shtyrë vrullshëm opinionin publik francez më djathtas apo duke i orientuar votuesit spanjollë më majtas. Megjithatë, cilatdo qofshin pasojat e protestave në politikën institucionale, kushtet që qëndrojnë në rrënjë të tyre — tkurrja e shpenzimeve publike, entropia digjitale, pikëllimi për një të ardhme të anuluar — vështirë se do të zbehen. Është e vështirë të besosh se do të tërhiqen edhe protestuesit.


