“Vandalët paguajnë”, projektligji në Francë ngre shqetësime për të drejtën e protestës

26 Oct 2026 • 10:42
Shpërndaje:

Qeveria franceze po përshpejton shqyrtimin e projektligjit “Vandalët paguajnë”, i cili, sipas raportimit të The Guardian, mund t’i bëjë protestuesit financiarisht përgjegjës edhe për dëme që nuk i kanë shkaktuar vetë.

Nisma ka nxitur kundërshtimin e sindikatave, të cilat akuzojnë presidentin Emmanuel Macron se po përpiqet të kufizojë të drejtën për të protestuar.

Senati pritet ta diskutojë projektligjin këtë javë. Sipas dispozitave të përshkruara në raportim, një protestues mund të detyrohet të paguajë deri në 10 mijë euro nëse vazhdon të qëndrojë pranë vendit ku janë kryer akte vandalizmi ose merr pjesë në të njëjtin grup me personat përgjegjës për dëmet.

Reklamë Ola

Projektligji parashikon gjithashtu zgjerimin e përdorimit të dronëve për mbikëqyrjen e demonstratave.

Kryeministri Sébastien Lecornu e ka cilësuar nismën “absolutisht të domosdoshme”, pas plaçkitjeve dhe zjarrvënieve që shoqëruan protestat e fundit në disa qytete franceze.

Reklamë InterMedika

Propozimi ishte përgatitur fillimisht pas përplasjeve të dhunshme që pasuan fitoren e Paris Saint-Germain ndaj Arsenalit në Ligën e Kampionëve, në maj. Qeveria tani po kërkon përshpejtimin e miratimit të tij, ndërsa përballet me një krizë sociale në zgjerim.

Prej më shumë se katër javësh, nxënësit e shkollave të mesme kanë bllokuar institucione arsimore, duke kërkuar masa për mungesën e mësuesve, riparimin e ndërtesave të amortizuara dhe ndryshime në platformën e aplikimit për universitetet.

Mobilizimeve u janë bashkuar sindikatat dhe pjesëtarë të lëvizjes “Jelekët e Verdhë”. Krahas arsimit, në qendër të kërkesave janë kostoja e jetesës dhe funksionimi i shërbimeve publike.

Autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë dhe kufizimet për tubimet pas përplasjeve të rënda gjatë këtij muaji. Protestat, kryesisht paqësore, u shoqëruan në disa raste me plaçkitje, zjarrvënie dhe dëmtime të ndërtesave publike.