Ideologu ultranacionalist rus Aleksandër Dugin ka bërë thirrje për bashkimin e shqiptarëve dhe serbëve kundër Bashkimit Europian, në një mesazh që vjen mes protestave në Tiranë dhe debatit për ndikimet e huaja në vend.
“Serbët dhe shqiptarët duhet të luftojnë së bashku kundër globalistëve të BE-së”, citohet të jetë shprehur ai, sipas ABC News.
Deklarata përcjell qëndrimin kundër institucioneve europiane të Dugin, i njohur për promovimin e projektit euroaziatik dhe kundërshtimin e orientimit perëndimor. Thirrja e tij bie ndesh me objektivin strategjik të Shqipërisë për anëtarësim në BE.
Në një tjetër postim të raportuar nga media, Dugin iu referua Pranverës Arabe dhe një “vjeshte europiane”, duke i interpretuar trazirat në Europë si shenjë të rënies së Perëndimit.
Reagimet e tij për zhvillimet në Shqipëri kanë tërhequr edhe vëmendjen e kryeministrit Edi Rama. Kreu i qeverisë e ka lidhur interesimin e ideologut rus me shqetësimet për ndërhyrje të mundshme nga jashtë.
“Nuk është aspak rastësi që ‘babai’ ideologjik i Vladimir Vladimiroviçit atje në Kremlin del dhe përshëndet kombin shqiptar”, ka deklaruar Rama.
Dugin përshkruhet shpesh në media si “truri i Putinit”, për shkak të ideve të tij ultranacionaliste dhe qëndrimeve në mbështetje të politikave ekspansioniste ruse. Megjithatë, ky emërtim nuk dëshmon një rol zyrtar këshillues pranë presidentit rus.
Deklaratat e tij tregojnë përpjekjen për t’u dhënë zhvillimeve në Shqipëri një interpretim kundër BE-së. Ato, megjithatë, nuk provojnë se ai apo autoritetet ruse kanë rol në organizimin e protestave.


