Studentë protestues kanë grisur letrat me mesazhin “dialog”, të vendosura mëngjesin e sotëm mbi disa karrige përpara Kryeministrisë, ndërsa kanë kërkuar llogari për veprimet e policisë.
Karriget ishin vendosur nga kryeministri Edi Rama si një ftesë për bisedime. Pas nisjes së protestës, studentët marshuan drejt godinës dhe hoqën e grisën mesazhet.
Gjatë tubimit pati edhe një përballje verbale me drejtoreshën e Agjencisë për Media dhe Informim, Manjola Hasa, e cila tha se ndodhej aty për të përcjellë kërkesat e studentëve që dëshironin të takonin kryeministrin.
“Unë nuk jam këtu për deklarata politike, jam këtu që, nëse ka studentë që duan të flasin me kryeministrin, të përcjell kërkesën e tyre”, deklaroi Hasa.
Ajo përsëriti se Rama është i hapur për dialog dhe se studentët që dëshirojnë të bisedojnë janë të mirëpritur.
Një prej protestuesve e kundërshtoi këtë ftesë, duke kërkuar fillimisht përgjigje për pretendimet mbi dhunën policore.
“Jep llogari përse policia dhunon studentët pa asnjë identifikim, pastaj kërko dialog”, iu drejtua ai Hasës.


