Tensionet në protesta, Vengu: Duhet të dëgjojmë arsyet që i kanë nxjerrë qytetarët në rrugë

18 Oct 2026 • 10:37
Shpërndaje:

Deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Vengu, ka reaguar pas përplasjeve të mbrëmjes së djeshme mes protestuesve dhe forcave të rendit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Duke dënuar aktet e dhunës dhe duke vlerësuar punën e policisë, Vengu theksoi se mazhoranca ka përgjegjësinë të dëgjojë kërkesat e qytetarëve dhe të adresojë arsyet që i kanë shtyrë të protestojnë.

Në një postim në rrjetet sociale, deputeti socialist shprehu mbështetjen për punonjësit e Policisë së Shtetit, personelin shëndetësor dhe zjarrfikësit, duke vlerësuar angazhimin e tyre gjatë situatës së tensionuar.

“Kam shërbyer pranë burrave dhe grave në uniformë dhe e di peshën e përgjegjësisë që mbajnë. Policët, mjekët, infermierët dhe zjarrfikësit meritojnë mbështetjen tonë për shërbimin ndaj atdheut dhe ndaj qytetarëve”, shkroi Vengu.

Reklamë Ola

Ai vlerësoi vetëpërmbajtjen dhe profesionalizmin e policisë, duke theksuar se këto janë vendimtare për shmangien e lëndimeve dhe parandalimin e përshkallëzimit të dhunës.

Megjithatë, deputeti nënvizoi se mbështetja për forcat e rendit nuk duhet të nënkuptojë kufizimin e së drejtës së qytetarëve për të protestuar paqësisht.

Reklamë InterMedika

“Keni të drejtë të kundërshtoni dhe të kërkoni llogari. Dhuna e të tjerëve nuk ju bën ju fajtorë. Mos lejoni që ajo t’ju rrezikojë dhe t’jua mbysë zërin”, iu drejtua ai protestuesve paqësorë.

Vengu: Thirrja për qetësi nuk na çliron nga përgjegjësia

Në reagimin e tij, Vengu pranoi se përfaqësuesit e shumicës qeverisëse kanë detyrimin të dëgjojnë jo vetëm kërkesat e protestuesve, por edhe të përballen me shkaqet e pakënaqësisë së tyre.

“Si deputet dhe pjesë e mazhorancës, kam përgjegjësinë jo vetëm të dëgjoj kërkesën e protestuesve, por mbi të gjitha të përballem me arsyet themelore që i kanë nxjerrë njerëzit në rrugë. Thirrja për qetësi nuk na çliron nga ky detyrim”, deklaroi ai.

Deputeti socialist bëri gjithashtu thirrje për përgjegjshmëri në komunikimin publik, duke kërkuar që të mos përhapen informacione të pakonfirmuara për viktima apo mesazhe që mund të nxisin hakmarrje dhe tensione të mëtejshme.

“Kujtdo që komunikon publikisht i bëj thirrje të mos përhapë lajme të pakonfirmuara për viktima dhe as mesazhe që ushqejnë hakmarrjen”, theksoi Vengu.

Në përfundim, ai nënvizoi se mbrojtja e qytetarëve, garantimi i së drejtës për protestë dhe siguria e punonjësve të policisë janë pjesë e së njëjtës përgjegjësi publike, e cila duhet të ushtrohet me qetësi, vendosmëri dhe njerëzi.