Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se shteti nuk do të tërhiqet përballë akteve të dhunës gjatë protestave në Tiranë, ndërsa u ka bërë thirrje studentëve dhe qytetarëve që kërkojnë dialog të zhvillojnë një takim me të, qoftë në Kryeministri apo në ambientet universitare.
Gjatë një komunikimi publik, Rama theksoi se është i gatshëm të diskutojë me të gjithë ata që duan të paraqesin shqetësimet dhe propozimet e tyre për përmirësimin e situatës në vend.
“Shteti nuk dorëzohet përpara gurëve dhe kush dorëzohet nuk e merr veten për vite. Ftoj këdo që do të bëjë dialog, këdo që do të më takojë, këdo që do të flasë, me kamera, me fotografi, pa fotografi, në Kryeministri, në fakultet, si mund t’i bëjmë gjërat më mirë”, deklaroi kryeministri.
Rama iu drejtua veçanërisht të rinjve që marrin pjesë në protesta pa synuar përplasje me policinë, duke pretenduar se mes tyre veprojnë edhe persona të maskuar që përdorin gurë dhe mjete të forta.
Sipas tij, prania e këtyre personave krijon situata të rrezikshme dhe sjell përplasje me forcat e rendit.
“Po flas me ata djem dhe vajza që rrinë atje jo për të gjuajtur me gurë, por në pararojë kanë gurët, maskat dhe pastaj thonë na lëndoi policia. Aty nuk bëhet balet, as nuk luhet futboll”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë paralajmëroi se institucionet do të vijojnë të përballen me aktet e dhunshme, duke theksuar se protestat nuk mund të shërbejnë si justifikim për sulmet ndaj shtetit.
“Kush më çon mesazh me gurë dhe maska, mua dhe shtetin e ka përballë. Kjo që po ndodh Shqipërinë do ta bëjë më të fortë”, përfundoi kryeministri.
Deklaratat e Ramës vijnë në vijim të protestave të ditëve të fundit në kryeqytet, të cilat janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes demonstruesve dhe forcave të policisë.


