Tensione dhe dhunë në Francë, Macron: Sulmet ndaj institucioneve do të ndëshkohen

17 Oct 2026 • 23:03
Shpërndaje:

Presidenti francez Emmanuel Macron ka dënuar aktet e dhunës që kanë shoqëruar protestat në Paris dhe qytete të tjera të Francës, duke paralajmëruar ndjekje penale për personat e përfshirë në sulme ndaj institucioneve publike, policisë dhe bizneseve.

“Dhuna nuk ka vend në demokracinë tonë”, deklaroi Macron, duke reaguar ndaj incidenteve të regjistruara gjatë demonstratave.

Presidenti francez theksoi se autoritetet do të veprojnë ndaj personave përgjegjës për dëmtimin e pronës dhe sulmet ndaj institucioneve.

Reklamë Ola

“Ata që hynë me forcë, që sulmuan stacionet e policisë, bashkitë dhe dyqanet do të ndiqen penalisht dhe do të ndëshkohen”, u shpreh ai.

Macron shprehu gjithashtu mbështetjen për forcat e rendit, duke i cilësuar ato si garantuese të ushtrimit të së drejtës për të protestuar.

Reklamë InterMedika

“Ne do të qëndrojmë absolutisht kundër atyre që duan kaos, që nuk duan asgjë më shumë sesa të sulmojnë institucionet tona dhe, në të njëjtën kohë, të pengojnë ata që duan të protestojnë në mënyrë paqësore”, deklaroi presidenti.

Mélenchon akuzon policinë, kryeministri i kërkon përgjegjësi

Ndërkohë, politikani i së majtës radikale Jean-Luc Mélenchon fajësoi autoritetet policore për incidentet e ndodhura gjatë protestave.

Megjithatë, ai u bëri thirrje demonstruesve të shmangin aktet e vandalizmit dhe plaçkitjet.

Deklaratat e Mélenchon shkaktuan reagimin e kryeministrit francez Sébastien Lecornu, i cili i kërkoi politikanit të opozitës të tregojë përgjegjësi në qëndrimet e tij publike.

Sipas kryeministrit, fajësimi i policisë për incidentet përbën një përpjekje për të zhvendosur përgjegjësinë nga autorët e akteve të dhunshme.

Lecornu i bëri gjithashtu thirrje Mélenchon të identifikojë dhe të dënojë publikisht personat e përfshirë në vandalizëm dhe plaçkitje.

Përplasja mes qeverisë dhe opozitës vjen në një kohë kur protestat në Francë vijojnë të shoqërohen me tensione, duke rikthyer debatin mbi sigurinë publike, veprimet e policisë dhe respektimin e së drejtës për të protestuar.