Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas djegies së një kioske pranë Kryeministrisë gjatë protestave në Tiranë, duke shprehur solidaritet me familjet që kanë pësuar dëme materiale. Ai akuzoi opozitën se qëndron pas akteve të dhunës, duke pretenduar se incidentet nuk kanë lidhje me protestat e studentëve.
Përmes një mesazhi në Facebook, Rama publikoi pamjet e kioskës së shkatërruar nga flakët, duke theksuar se pas çdo biznesi të dëmtuar qëndron puna dhe sakrifica e një familjeje.
“Kjo është gërmadha e jetës, e punës, e mundit, e djersës, e ëndrrave dhe shpresave të një familjeje të zakonshme, të prindërve të zakonshëm që hapin derën për të çuar në mbrëmje të ardhurat dhe për të shtruar tryezën me ndershmëri”, u shpreh kryeministri.
Ai premtoi mbështetje për familjet e prekura nga shkatërrimet, duke kujtuar përpjekjet për rindërtimin pas tërmetit.
“Dua t’u them të gjithë atyre që janë me lot në sy përballë gërmadhave të ngjashme se nuk janë vetëm, sepse sapo kjo flamë të kalojë, ne do të jemi prapë aty bashkë”, deklaroi Rama.
Kryeministri përsëriti qëndrimin se aktet e dhunës nuk janë organizuar nga studentët, por lidhen me atë që ai e cilësoi si një përpjekje të opozitës për të destabilizuar vendin.
“Kjo që po ndodh nuk ka lidhje me studentët. Kjo është dora që ka kapur për fyti opozitën shqiptare”, tha ai.
Rama ngriti gjithashtu shqetësimin për përfshirjen e të miturve në përplasje, duke kritikuar nxitjen e tyre për të dëmtuar infrastrukturën publike dhe për të sulmuar efektivët e policisë.
“Si mund të nxiten të miturit në rrugë, të shkulin trotuaret dhe të qëllojnë policinë?”, u shpreh kryeministri.
Në reagimin e tij, Rama pretendoi se pas trazirave mund të qëndrojnë edhe interesa të huaja që synojnë të pengojnë rrugën europiane të Shqipërisë, pa paraqitur prova konkrete për këtë pretendim.
“Nuk është rastësi që sapo Shqipëria afrohet më shumë drejt atij objektivi historik, këtu plas flaka”, deklaroi ai.
Kryeministri e cilësoi situatën si një sprovë për vendin, duke shprehur bindjen se ajo do të kapërcehet.


