Marta Kos: Shqipëria mund të anëtarësohet në BE para vitit 2030

13 Oct 2026 • 19:02
Shpërndaje:

Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka përgëzuar Shqipërinë për progresin në negociatat e anëtarësimit, duke deklaruar se vendi ka mundësi të bëhet pjesë e Bashkimit Europian përpara vitit 2030.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Luksemburg, me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin irlandez të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen, Thomas Byrne, Kos vlerësoi mbylljen e përkohshme të Kapitullit 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”.

“Shqipëria është një nga kryesueset e këtij progresi mbresëlënës që po arrijmë sot, falë punës së madhe dhe mbështetjes së vendeve anëtare”, deklaroi Kos.

Reklamë Ola

Komisionerja theksoi se mbyllja e Kapitullit 20 përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm për ekonominë shqiptare, veçanërisht për bizneset e vogla dhe të mesme.

“Po mbyllim një tjetër kapitull negociues, që ka të bëjë me bizneset shqiptare, të cilat rriten, zhvillohen, konkurrojnë dhe krijojnë më shumë vende pune. Bizneset e vogla dhe të mesme janë shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare”, u shpreh ajo.

Reklamë InterMedika

Sipas Kos, përafrimi i politikave industriale të Shqipërisë me standardet europiane, veçanërisht në fushën e teknologjive të reja, teknologjisë së pastër dhe lëndëve të para kritike, do të kontribuojë në forcimin e ekonomisë.

Kos: Anëtarësimi në BE është projekt kombëtar

Komisionerja për Zgjerimin përgëzoi institucionet shqiptare për rezultatet e arritura, duke vlerësuar veçanërisht kontributin e ministres Delina Ibrahimaj.

Ajo kujtoi se Shqipëria ka vendosur objektivin për të përfunduar negociatat dhe për të mbyllur të gjithë kapitujt deri në vitin 2027, një ambicie që gëzon mbështetjen e Komisionit Europian.

“Ne e mbështesim këtë ambicie, por, për ta arritur atë, Shqipëria duhet të vazhdojë të japë rezultate, sidomos në fushën e Themeloreve”, theksoi Kos.

Ajo bëri thirrje që procesi i integrimit të mos mbetet vetëm përgjegjësi e qeverisë, por të përfshijë edhe opozitën, shoqërinë civile dhe qytetarët.

“Kjo punë duhet të përfshijë të gjithë qeverisjen, opozitën, shoqërinë civile dhe qytetarët. Sepse anëtarësimi në BE është një projekt kombëtar”, deklaroi komisionerja.

Kos nënvizoi gjithashtu se institucionet europiane po përgatiten për zgjerimin e ardhshëm të Unionit, me synimin që pranimi i anëtarëve të rinj të shoqërohet me funksionimin efektiv të BE-së.

“Ne po përgatitemi për një Bashkim Europian më të gjerë. Mesazhi ynë ishte se ne mund ta bëjmë një Bashkim më të madh të funksionojë. Po hedhim hapat e nevojshëm për ta bërë këtë realitet”, përfundoi ajo.

Mbyllja e përkohshme e Kapitullit 20 e çon në katër numrin e kapitujve negociues të mbyllur përkohësisht nga Shqipëria, ndërsa procesi i anëtarësimit mbetet i kushtëzuar nga përmbushja e reformave dhe kriteret e Bashkimit Europian.