Balla-PD-së: Mos e mbani peng Reformën Zgjedhore, detyrimet ndaj BE-së janë të Kuvendit

13 Oct 2026 • 12:59
Shpërndaje:

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, deklaroi se mazhoranca është e gatshme të vijojë punën për Reformën Administrative Territoriale, duke shprehur shpresën që Partia Demokratike të mos bojkotojë komisionin e posaçëm. Balla u ndal edhe te votimi dhe numërimi elektronik, Reforma Zgjedhore, organizimi i rajoneve dhe zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Balla theksoi se ngritja e komisionit të posaçëm për çështjet e qeverisjes vendore, kompetencat, funksionet, financat dhe rajonet është hera e katërt që ndërmerret një nismë e tillë që prej vitit 2013. Ai kujtoi se opozita ka marrë pjesë në dy komisione të mëparshme dhe ka bojkotuar një, duke shprehur shpresën që kësaj here të mos përsëritet bojkoti.

Duke iu referuar ndarjes së re administrative territoriale me 46 bashki, Balla tha se diskutimet duhet të vijojnë për katër shtylla kryesore: kuadrin ligjor të qeverisjes vendore, shërbimet dhe funksionet, financat vendore dhe organizimin rajonal. Ai nënvizoi se edhe Partia Demokratike ka paraqitur më herët një propozim për ndarjen me 100 bashki.

Reklamë Ola

Sa i përket mundësisë që opozita ta çojë ndarjen e re në Gjykatën Kushtetuese, Balla u shpreh i bindur se procedura e ndjekur nga Kuvendi është në përputhje me Kushtetutën.

Në lidhje me votimin dhe numërimin elektronik, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së konfirmoi mbështetjen e socialistëve për zgjerimin e këtij procesi, duke përfshirë edhe mundësinë e aplikimit në Bashkinë e Tiranës. Sipas tij, përcaktimi i bashkive ku do të zbatohet teknologjia i takon përfaqësuesve të Partisë Socialiste në KQZ, në përputhje me vendimmarrjen përkatëse.

Reklamë InterMedika

Balla kërkoi gjithashtu që Reforma Zgjedhore të përmbyllet brenda afateve, duke theksuar se detyrimet që Shqipëria ka përpara Bashkimit Europian janë detyrime të Kuvendit si institucion dhe jo vetëm të mazhorancës.

Për çështjen e rajoneve, ai u shpreh i hapur për diskutime me opozitën, përfshirë mundësinë e ndryshimeve kushtetuese, ndërsa theksoi se ndarja administrative për zgjedhjet vendore të prill-majit 2027 do të bëhet me 46 bashki. Ai ftoi gjithashtu PD-në të bashkëpunojë për hartimin e ligjit për referendumet.

I pyetur për propozimet për rikthimin e balotazhit në zgjedhjen e kryetarëve të bashkive dhe për listat 100% të hapura për këshilltarët bashkiakë, Balla deklaroi se personalisht është kundër balotazhit dhe se zgjedhjet duhet të zhvillohen në një raund të vetëm.

Më poshtë, komunikimi i plotë i Taulant Ballës me gazetarët pas Konferencës së Kryetarëve.

⸻

Fjala e plotë e Taulant Ballës

Gazetar: Kërkesën që keni sjellë për herë të dytë për Reformën Territoriale, ata e kanë artikuluar në korrik të këtij viti. Ndërkohë, jeni ju të gatshëm që ta zhvilloni Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale për herë të dytë, në mënyrë të ngjashme dhe vetëm pa opozitën, pasi ka një skenar që mund të bojkotohet nga ana e tyre, por ky vendim do të merret nesër në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike?

Taulant Balla: Nga viti 2013 e këndej, kërkesa e diskutuar sot dhe e miratuar sot në Konferencën e Kryetarëve, për t’ia kaluar seancës për ngritjen e një komisioni të posaçëm që ka në fushën e vet të veprimit qeverisjen vendore, kompetencat, funksionet, financat dhe rajonet, është hera e katërt.

Është ngritur një në vitin 2014, është ngritur një tjetër në vitin 2022, një në vitin 2025 dhe ky i katërti në vitin 2026. Opozita ka marrë pjesë në dy prej tyre, ka bojkotuar një. Uroj që të mos bojkotojë të katërtin, për t’u bërë dy me dy. Pastaj, ju e dini se çfarë ndodh kur nuk merr pjesë.

Sa i përket ditës së sotme, për të qenë shumë i sinqertë me ju, se ka njerëz që dalin para jush dhe nuk u dridhet as qerpiku kur gënjejnë, sot, si në çdo Konferencë të Kryetarëve, përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste kanë qenë të gjithë aty. Ka qenë vetëm zoti Tedi Blushi në orarin përkatës dhe ka qenë një kolege që hynte e dilte, sepse, siç u informova nga sekretaria e Konferencës së Kryetarëve, pesë minuta ishte bojkot, dhjetë minuta nuk ishte bojkot. Nuk e kam kuptuar, por të paktën ishte një deputet aty që parashtroi qëndrimin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, të cilin nuk e kuptova.

Shpresoj shumë që deri të enjten, në seancë plenare, të ketë reflektim.

Pra, ti thua që nuk ju zgjat mandati komisionit të posaçëm të tretë, atij që përfundoi në korrik. Kolegia iku pa dëgjuar përgjigjen as të Kryetarit të Kuvendit, as timen, që në rastin e atij diskutimi të bërë në korrik, kërkesa ishte parashtruar gabim. Nuk u parashtrua në afatin e duhur, nuk kaloi në Konferencën e Kryetarëve dhe, për pasojë, nuk erdhi si një vullnet i përbashkët i bashkëkryetarëve të komisionit. Për pasojë, ai komision përfundoi.

Duhet ta themi që të dyja palët e përfaqësuara në atë komision erdhën me dy propozime. Deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste erdhën me një propozim, me një hartë të re të ndarjes administrative territoriale me 46 bashki. Deputetët përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike erdhën me propozimet e tyre, në funksion të punës që kishin bërë në atë komision, me 100 bashki.

Pra, edhe Partia Demokratike sot që flasim ka propozuar një ndarje me 100 bashki.

Ditën e enjte të kaluar është votuar ndarja me 46 bashki, por, edhe në kujtesë të vitit 2014, kur kemi votuar ligjin për Reformën Administrative Territoriale, në fillim kemi votuar hartën dhe më pas, në shtator e tutje, sepse atëherë është votuar më 31 korrik të vitit 2014, kemi punuar për pjesën që lidhet me katër shtyllat kryesore.

E para është i gjithë kuadri ligjor i vetëqeverisjes vendore. E dyta është pjesa që lidhet me shërbimet dhe funksionet. Pyetja që lind është: çfarë funksionesh do t’i transferojmë nga qeveria qendrore te qeveria vendore, që ajo t’i kryejë sa më mirë për qytetarët?

Besoj që ky ka qenë një prej diskutimeve ku vetë opozita ka qenë shumë prezente dhe shumë e zëshme. Atëherë, hajde në komision t’i diskutojmë.

Donit t’ia transferonim, po marr si shembull administrimin e arsimit, që drejtorët e shkollave të emërohen, po bëj si propozim ose si hipotezë, nga kryetarët e bashkive, sepse kam dëgjuar nga ata që thonë: hajde në komision.

Çështja tjetër është financa vendore. Pra, hajde të flasim se çfarë duhet t’i japim.

E katërta, që u përmend nga përfaqësuesja e opozitës në mbledhjen që sapo patëm, ishte pjesa e rajoneve. Kur këta nuk kanë qenë në Parlament, në vitin 2020 ne kemi votuar një ligj për rajonet, për organizimin e tyre. Bazuar në atë ligj, kemi ngritur edhe shërbime që organizohen në rajone.

Për shembull, operatorët e sistemit shëndetësor janë të organizuar në rajone. Zyrat arsimore janë të organizuara në rajone. Ka pasur diskutime dhe propozime nga deputetë që kjo nuk është funksionale ose nuk ka qenë efektive. Hajde t’i diskutojmë.

Për ta përmbyllur pyetjen tënde, unë besoj shumë se e mira e procesit e do që, edhe në funksion të asaj që opozita ka kërkuar, edhe në funksion të asaj që ka propozuar, të vijojë puna. A kanë propozuar ata një ndarje administrative? Po. A është faza e dytë pas propozimit? E ke mbyllur. Është duke u diskutuar, ka shkuar te bashkitë dhe, nuk e di, diku nga fundi i nëntorit do t’i vijë radha, sepse je i detyruar që ta votosh edhe në Kuvend.

Ti ke për detyrë të bësh të tjetrën. A thua ti që ju ndërpre puna komisionit dhe kjo nuk është bërë? Hajde pra ta vazhdojmë.

Dhe kjo nuk ishte një lajm surprizë. Besoj që ju jeni pasqyra e kësaj pune që ne bëjmë në mënyrë të përditshme dhe e dini që ditë më parë unë, në emër të mazhorancës që drejtoj si kryetar i Grupit Parlamentar, u kam thënë se ne do të vijmë me propozimin për të vazhduar punën. Dhe bujrum, hajde, mos e lër karrigen bosh.

Gazetar: PD ka edhe një artikulim për ta dërguar ndarjen me 46 bashki në Gjykatën Kushtetuese. Do ta cenojë kjo procesin, duke marrë në konsideratë faktin që zgjedhjet e vitit 2027 janë afër?

Taulant Balla: Po e kanë çuar edhe në vitin 2014. E kanë çuar në vitin 2014 dhe Gjykata Kushtetuese, në të njëjtat kushte, ka përcaktuar qartë se çfarë kriteresh duhet të përmbushë një reformë e tillë për të qenë në përputhje me Kushtetutën.

Jam 100% i bindur, nga A-ja te Zh-ja, se e gjithë procedura e ndjekur nga Kuvendi për këtë ndarje të re administrative territoriale është në përputhje të plotë me Kushtetutën. Kështu që ta çojnë.

Pastaj, më falni, a ka ndonjë vendim që merret këtu se ata nuk e çojnë në Gjykatën Kushtetuese? Ju e mbani mend çfarë bënë me Avokatin e Popullit. U betuan e u stërbetuan dhe pastaj shkuan në Gjykatën Kushtetuese, e kështu me radhë. Gjykata Kushtetuese tha që zgjedhja e Avokatit të Popullit është tërësisht në përputhje me Kushtetutën.

Gazetar: Zoti Balla, diku u ndalët te zgjedhjet e pranverës. Komisioneri Ilirjan Celibashi ka propozuar zgjerimin e votimit dhe numërimit elektronik në katër bashki. Një ditë më parë, Sali Berisha u shpreh kundër, duke thënë se nuk do të zbatohet në asnjë bashki të vendit. Ndërkohë, Partia Socialiste është shprehur e hapur për zgjerimin e votimit dhe numërimit elektronik. Në cilat bashki synon Partia Socialiste që të zgjerohet ky proces?

Taulant Balla: Le t’ua lëmë përfaqësuesve tanë në KQZ përcaktimin e secilës prej bashkive. Partia Socialiste e mbështet fuqimisht përdorimin e teknologjisë. Besoj që kanë mjaftuar disa palë zgjedhjesh tashmë, qofshin ato vendore apo qendrore, për të konfirmuar se dalja e rezultatit menjëherë pas përfundimit të shprehjes së vullnetit të zgjedhësve është gjëja e duhur.

Personalisht e kam thënë, gjithashtu edhe Kryeministri Rama, kryetar i mazhorancës, e ka thënë se ne duhet të gjejmë një zgjidhje për t’i dhënë fund asaj situate që krijohet pas përfundimit të zgjedhjeve, ku duhen ditë të tëra numërimi për të shpallur rezultatin përfundimtar.

Për të ardhur te pyetja juaj, besoj që është e nxituar, shumë e nxituar madje, përgjigjja e zotërisë që përmendët, që drejton sot Partinë Demokratike. Sa kohë që Partia Demokratike, në disa palë zgjedhjesh, ka dhënë dakordësinë për këtë çështje, nuk ka pasur asnjë lloj ankese nga asnjë prej palëve pjesëmarrëse në zgjedhje për cilësinë apo sigurinë e votimit elektronik.

Atëherë, të lutem, jo, në vitin 2023 nuk ka qenë në drejtimin e zotit Berisha… Është kundërshtuar gjithnjë votimi dhe numërimi elektronik. Në vitin 2025, kush ka qenë? Apo kam qenë unë kryetar i PD-së? Berisha ka qenë? Po, kemi pasur votim elektronik.

Gazetar: Po, pra, e ka kundërshtuar.

Taulant Balla: Po si e ka kundërshtuar dhe është mbajtur? Atëherë, në Partinë Demokratike nuk e pyet më njeri Saliun?

Unë po ju them që në vitin 2025 ka pasur votim elektronik, qoftë në Vorë, qoftë në Njësinë 10. Në Elbasan ka pasur në vitin 2023, mos i ngatërroni, në zgjedhjet vendore, ashtu siç ka pasur edhe në Kamëz.

Gazetar: Dhe zoti Berisha e ka kundërshtuar, ka deklaruar që është manipuluar procesi, ndaj sot del me këtë qëndrim.

Taulant Balla: Zoti Berisha ka mendjen e vet dhe nuk ia mbush dot njeri. Unë po ju them që më pyeti Elda Menga, gazetarja e Top Channel, dhe më tha: “Ç’mendim keni ju?” Dhe unë thashë mendimin tim.

Gazetar: Në vlerësimin tuaj, mund të jetë Bashkia e Tiranës për votim dhe numërim elektronik në zgjedhjet e ardhshme?

Taulant Balla: Do të ishte perfekte. Do të ishte perfekte që njësia më e madhe vendore në Shqipëri, me numrin më të madh të votuesve, të ishte një prej tyre.

Ju thashë, ka pasur një njësi, Njësia 10, që është ndër më të voglat. Le të shtrohet për diskutim, sepse duhet një vendimmarrje.

Mos harroni që vendimmarrjet në KQZ, për fat të keq, janë ende vendimmarrje të natyrës së përfaqësimit politik, ku njëra palë ka të drejtë të bllokojë. Por unë mendoj se gjetja e një zgjidhjeje për t’i dhënë fund historisë së numërimit që zgjat me ditë të tëra duhet parë, duke mos harruar këtu edhe një prej çështjeve që e kam ngritur gjithmonë: depolitizimin e komisioneve zgjedhore.

Unë them që të gjithë jemi të bindur se jemi i vetmi vend ku rezultati përfundimtar i zgjedhjeve del me javë pas përfundimit të ditës së zgjedhjeve. Të paktën procesi i numërimit zgjat minimalisht një javë, ndërkohë që këtë nuk e gjej në asnjë vend.

Së fundmi, në Bosnjë dhe Hercegovinë, një vend fqinj me ne, kutitë e votimit u mbyllën në orën 19:00 dhe rezultati doli në orën 22:00 të po asaj nate. Kështu që është një çështje që duhet ta shohim të gjithë.

Ndërkohë që Elda pyeti për votimin elektronik, edhe një herë e përsëris: për Partinë Socialiste, nëse KQZ-ja mendon se duhet të jenë tri, katër apo pesë bashki, ne jemi dakord. Pastaj le ta vendosin ata se cilat.

Gazetar: Reforma Zgjedhore do të përfundojë e njëanshme, njësoj si Reforma Territoriale, zoti Balla?

Taulant Balla: Unë shpresoj shumë që Reforma Zgjedhore të mos jetë e njëanshme, por dua t’i kujtoj Partisë Demokratike se po afrohet afati përfundimtar i këtij komisioni, që është fundi i nëntorit. Është mirë që, të paktën për çështje për të cilat jemi të gjithë dakord dhe ku edhe ata janë dakord me ne, sepse tani u bënë 30 vite që ngrihen komisionet e posaçme të Reformës Zgjedhore, ta përfundojmë punën.

Sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë, me mbajtjen e Konferencës së dhjetë, ku përmbyllim Kapitullin 20 të marrëveshjes për anëtarësim. Kur është miratuar IBAR-i, e dini fare mirë që afati përfundimtar për çështjet që lidhen me Reformën Zgjedhore duhet të jetë brenda këtij viti.

Pra, edhe opozita duhet të kuptojë se detyrimet e Shqipërisë përballë Brukselit nuk janë vetëm detyrimet e Partisë Socialiste apo të shumicës qeverisëse, por janë detyrime të Kuvendit si institucion.

Ti nuk mund ta mbash peng Reformën Zgjedhore për axhendën tënde politike të ditës. Unë mendoj se, sa i përket axhendës europiane, ne duhet të kemi dakordësi.

Kemi çështje që mund t’i zgjidhim dhe që adresohen në Kodin Zgjedhor. Për shembull, në ligjin për ndarjen administrative territoriale që miratuam të enjten e kaluar kemi përcaktuar se bashkitë që bashkohen, për shembull Rrogozhina me Kavajën, do të kenë përfaqësuesit e tyre në Këshillin Bashkiak të Kavajës.

Nëse Këshilli Bashkiak i Kavajës do të ketë 41 anëtarë dhe, për shembull, rreth 15 do të jenë përfaqësuesit e Rrogozhinës, kjo do të thotë se duhet të konfigurohet dhe të shkruhet në Kodin Zgjedhor mënyra se si do të depozitohen listat dhe si do të përzgjidhen kandidatët fitues për këshillin bashkiak.

Kështu që, parë në këtë kontekst, ja pra që na duhet ta shohim Kodin Zgjedhor sa më shpejt.

Presidenti i Republikës, sipas atyre parashikimeve, besoj se në javët në vijim duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve, një prej të dielave mes 15 prillit dhe 15 majit.

Gazetar: E ka deklaruar Partia Socialiste se zgjedhjet do të jenë në maj.

Taulant Balla: Shiko, zgjedhjet vendore gjithmonë kanë qenë në maj, të paktën që kur është bërë ky ndryshim. Por kjo është kompetencë e Presidentit të Republikës dhe unë nuk shprehem për asnjë datë, sepse respektoj vullnetin e Presidentit.

Gazetar: Zoti Balla, meqë e përmendët Kavajën, kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, ka deklaruar se edhe me bashkimin me Rrogozhinën do ta fitojë bashkinë. A do të jetë një bast i humbur i juaji Kavaja?

Taulant Balla: Po, ky vendos baste në mënyrë të paligjshme dhe ju lutem, unë vullnetin e popullit të nderuar të Kavajës nuk e zbres në nivelin e një bastvënësi të rëndomtë.

Gazetar: Zoti Balla, nëse i kthehemi edhe një herë Reformës Territoriale, te rajonalizimi, a lipset ndryshim kushtetues? Nëse do të duhen ndryshime kushtetuese për rajonalizimin, a i ka Partia Socialiste votat për ndryshime të tilla, apo do të përdorni mekanizma të tjerë që rajonet të mos kenë atë fuqi ose të mos kërkojnë ndryshime kushtetuese?

Taulant Balla: Tani, ka pasur shumë propozime për ndryshime kushtetuese. Ju e dini që ne kemi ardhur në fillim të këtij viti, si grup parlamentar, me propozimin për ndryshime kushtetuese për zvogëlimin e numrit të anëtarëve të Kuvendit, për të shkuar nga 140 në 101 anëtarë.

Është koha dhe dita sot që ta ftoj Partinë Demokratike të ulemi për të diskutuar edhe këtë çështje. Nëse Partia Demokratike është e gatshme, e ftoj të caktojmë përfaqësuesit e saj dhe të ulemi të flasim për ndryshime kushtetuese.

Sa u përket rajoneve, unë e thashë në Konferencën e Kryetarëve dhe po e them edhe tani: ne sot kemi një pjesë të shërbimeve, funksioneve dhe administrimit të organizuar në nivel rajonal, bazuar në ligjin e vitit 2020 për rajonet.

Megjithatë, jemi të hapur për çdo lloj diskutimi. Por kjo fazë e Reformës Administrative Territoriale, për zgjedhjet e prill-majit të vitit 2027, do të bëhet me 46 bashki.

Pastaj, natyrshëm, diskutimet duhet të vazhdojnë. Ne duhet t’i forcojmë rajonet. Shtylla e katërt e punës së komisionit që kemi propozuar është pikërisht pjesa që lidhet me fondet e kohezionit social.

Mos harroni asnjëherë që 70% e acquis communautaire zbatohet në nivel vendor dhe, për pasojë, na duhet të kemi organizim të mirë rajonal dhe bashki të forta, që të jenë njësi të programeve komunitare, pra programeve që konkurrojnë për fondet e kohezionit social të Bashkimit Europian.

Kështu që, parë në këtë këndvështrim, të gjitha propozimet janë të mirëpritura.

Përfaqësuesja e Partisë Demokratike në Konferencën e Kryetarëve përmendi ndryshimin e Kushtetutës për rajonet. Nuk e di nëse e kishte nga vetja apo nga partia, sepse aty nuk merret vesh kush e ka nga vetja dhe kush e ka nga partia. Por, nëse duan ta diskutojnë, Partia Demokratike është e mirëpritur të ulemi dhe t’i shohim ndryshimet kushtetuese për rajonet.

Dhe këtu duhet të rikthehem te një element që kaloi pa u vënë re, ose pa pasur një diskutim në seancë, që lidhet me një propozim të Partisë Demokratike për të pasur referendum për çështjen e hartës.

Që të kesh një referendum për një çështje, duhet të kesh ligj për referendumin. Unë ende pres. Jemi duke punuar, mund ta them, jemi duke bërë një punë të shkëlqyer me OSBE-në për ligjin e referendumeve. Kemi marrë një pjesë të gjetjeve dhe presim deri në fund të këtij muaji rekomandimet përfundimtare nga ekspertiza e vyer e OSBE-së.

Edhe për ligjin e referendumeve e ftoj Partinë Demokratike të vijë të ulemi dhe të flasim. Pra, përpara se të propozosh një referendum, duhet të jesh i ndershëm me qytetarët dhe t’u thuash se në Shqipëri sot nuk mund të zhvillohet një referendum pa pasur një ligj.

Gazetar: Ndërkohë, sa u takon zgjedhjeve, ka edhe një propozim tjetër, zoti Balla, për rikthimin e balotazhit për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive, ndërkohë që kërkohen lista 100% të hapura për zgjedhjen e këshilltarëve bashkiakë. Keni një koment?

Taulant Balla: Tani, mua m’u bënë vite dhe balotazhi po feston më shumë se 20 vite, pothuajse 25 vjet, që nga heqja si proces. Personalisht jam kundër. Zgjedhjet duhen kryer në një raund të vetëm, kështu që personalisht mendoj kështu.

Nuk kemi bërë një diskutim për këto çështje. Secili nga opozita nxjerr nga një këngë, por nuk ka ende një propozim konkret.

Unë kam ardhur sot me një propozim për një komision të posaçëm, e kam depozituar propozimin. Kur të sjellin një propozim konkret, ju garantoj që do të shprehemi. Besoj se i kemi të gjitha të sqaruara. Faleminderit.