Senatorja amerikane Shaheen: Kundër heqjes së sanksioneve ndaj Dodikut

09 Oct 2026 • 17:10
Shpërndaje:

Senatorja amerikane Jeanne Shaheen ka kundërshtuar vendimin e administratës së Shteteve të Bashkuara për heqjen e sanksioneve ndaj Milorad Dodikut, ish-presidentit të Republikës Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë.

Gjatë një takimi të zhvilluar këtë të premte në Tiranë me të rinj dhe përfaqësues të programeve të lidershipit, Shaheen theksoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe forcimit të institucioneve demokratike.

“Nuk jam dakord me heqjen e sanksioneve ndaj Dodikut”, deklaroi senatorja demokrate, e cila mban postin e anëtares më të lartë të opozitës në Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit amerikan.

Reklamë Ola

Sipas saj, politika e Uashingtonit ndaj Ballkanit duhet të përqendrohet te stabiliteti afatgjatë, zhvillimi ekonomik dhe forcimi i demokracisë.

Shaheen theksoi se zhvillimet politike dhe të sigurisë në vendet e rajonit janë të ndërlidhura, duke përmendur Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën si dy vende, situata e të cilave ndikon edhe në stabilitetin e Shqipërisë.

Reklamë InterMedika

Shaheen: Integrimi në BE nuk mund të zgjasë pafundësisht

Një tjetër çështje e diskutuar ishte perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor.

Senatorja amerikane rikonfirmoi mbështetjen e saj për anëtarësimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Europian, duke theksuar se reformat demokratike dhe forcimi i shtetit të së drejtës mbeten thelbësore për këtë proces.

Megjithatë, ajo vuri në dukje se vendeve kandidate u janë kërkuar reforma të vazhdueshme dhe se procesi i integrimit duhet të ofrojë një perspektivë konkrete, pa mbetur i hapur pafundësisht.

Duke iu drejtuar të rinjve të pranishëm, Shaheen theksoi përgjegjësinë e brezit të ri për të ndërtuar një të ardhme më demokratike dhe më të qëndrueshme në rajon.

“Brezi im e kujton Ballkanin që vuante nga lufta. Brezi juaj ka një sfidë tjetër, të ndërtojë vende demokratike dhe që ofrojnë shpresë”, u shpreh senatorja.

Takimi u organizua nga Atlantic Council, në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), dhe u moderua nga gazetarja Ilva Tare.

Vizita e Shaheen në Tiranë është pjesë e një turi rajonal të delegacionit të Kongresit amerikan, nga 6 deri më 13 tetor, që përfshin Bosnjën dhe Hercegovinën, Shqipërinë, Malin e Zi, Kroacinë dhe Kosovën.

Në delegacion merr pjesë edhe senatori demokrat Dick Durbin.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të nismës “Balkans Forward”, e cila synon të mbështesë zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Ballkanit Perëndimor përmes integrimit euroatlantik.