Gogu takim me Komisionerin Europian McGrath, në fokus reforma në drejtësi dhe integrimi në BE

08 Oct 2026 • 19:21
Shpërndaje:

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka zhvilluar një takim me Komisionerin Europian për Demokracinë, Drejtësinë, Shtetin e së Drejtës dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, Michael McGrath, ku në qendër të diskutimeve ishte forcimi i shtetit të së drejtës dhe përparimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Në fokus ishin konsolidimi i reformës në drejtësi dhe qëndrueshmëria e saj, si dhe përmbushja e kritereve të integrimit europian dhe roli i Ministrisë së Drejtësisë në këto procese”, shkroi Gogu.

Ministri theksoi se angazhimi i institucioneve shqiptare mbetet forcimi i një sistemi drejtësie më efektiv dhe garantimi i mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve.

Reklamë Ola

“Angazhimi ynë mbetet një drejtësi më efektive, institucione që funksionojnë dhe garanci më të forta për të drejtat e qytetarit”, u shpreh ai.

Takimi zhvillohet në kuadër të vizitës së Komisionerit Europian Michael McGrath në Shqipëri, gjatë së cilës ai është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama.

Reklamë InterMedika

Pas takimit me kreun e qeverisë, McGrath vlerësoi përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit, duke e cilësuar vendin si një nga kandidatët pararendës.

Megjithatë, komisioneri theksoi se mbetet ende punë për t’u bërë dhe se ruajtja e ritmit të reformave është e domosdoshme për arritjen e rezultateve të qëndrueshme dhe të pakthyeshme.

Reforma në drejtësi dhe forcimi i shtetit të së drejtës mbeten ndër elementet kryesore të procesit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.