Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës në postin e Presidentes së Republikës, duke deklaruar se vendi tashmë ka institucione stabile dhe se puna do të vijojë edhe për çështjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Në një postim në Facebook, Kurti e lidhi zgjedhjen e presidentes së re edhe me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat dhe Prokurorinë e Specializuar.
“Kemi edhe ligjin me ndryshime për Dhomat dhe Prokurorinë e Specializuar në Hagë dhe do të punojmë bashkë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në apel”, shkroi ai.
Kurti tha se me zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës është përmbyllur edhe procesi i rëndësishëm institucional për kreun e shtetit.
“Republika ka presidente të re, profesoreshën Justina Shiroka-Pula, Kosova ka institucione stabile”, u shpreh kryeministri.
Ai falënderoi deputetët që morën pjesë në votim, si dhe kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për pranimin e propozimit që çoi në kompromisin politik të minutave të fundit.
“Shumë mund e përpjekje, për kompromisin në fund. Për Republikën e Kosovës!”, shkroi Kurti.
Justina Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Kosovës me 81 vota në Kuvend, duke shmangur një skenar të zgjedhjeve të parakohshme.


