Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas marrjes zyrtare të detyrës nga Presidentja e re e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, duke deklaruar se tashmë janë krijuar kushtet për funksionimin e plotë të institucioneve.
Në një postim në Facebook, Kurti shkruan se shumë energji janë shpenzuar për përmbylljen e procesit të formimit dhe funksionalizimit të institucioneve të Kosovës, duke përmendur konstituimin e Legjislaturës XI të Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentes.
“Mbrëmë profesoresha Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente, e sot pranoi zyrtarisht detyrën nga ushtruesja e deridjeshme e saj, kryetarja e Kuvendit të Republikës, znj. Albulena Haxhiu”, shkruan Kurti.
Kryeministri thekson se pas përfundimit të këtyre proceseve institucionale, fokusi duhet të zhvendoset te puna dhe zbatimi i programit qeverisës.
“Tani që janë krijuar kushtet për punë pa pengesa, zelli duhet të shtohet e koha nuk duhet të çohet dëm. Në shërbim të qytetarëve, për të mirën e përbashkët dhe në përmbushje të zotimeve e të programit tonë qeverisës”, shprehet ai.
Kurti e mbyll reagimin me një tjetër urim për përfundimin e procesit institucional.
“Edhe një herë urime të gjithëve!”, shkruan kryeministri.


