Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili zhvilloi këtë të hënë një takim me një delegacion të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në qendër të bisedës ishin modernizimi i procesit legjislativ dhe forcimi i institucioneve parlamentare, përfshirë përdorimin e teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale për më shumë transparencë dhe efikasitet. Vëmendje iu kushtua gjithashtu përshpejtimit të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, përmes vijimit të reformave dhe forcimit të institucioneve demokratike.
Ismaili theksoi rëndësinë e shkëmbimit të eksperiencave me partnerët amerikanë për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe krijimin e proceseve parlamentare më moderne.
“Partneriteti me SHBA-në mbetet një mbështetje e rëndësishme për forcimin e institucioneve demokratike dhe modernizimin e tyre”, u shpreh ministrja pas takimit.
Delegacioni amerikan drejtohej nga kongresisti republikan nga Florida, Vern Buchanan, kryetar i House Democracy Partnership, struktura dypartiake e Dhomës së Përfaqësuesve që bashkëpunon me parlamentet e vendeve partnere për transparencën parlamentare, mbikëqyrjen e qeverisë, aksesin në informacion, kapacitetet e administratës së parlamenteve dhe modernizimin e proceseve legjislative. Nën drejtimin e Buchanan, kjo strukturë ka bashkëpunuar me qindra parlamentarë nga 47 vende të botës.
Ministrja Ismaili takon delegacionin e Kongresit amerikan. Diskutohet për modernizimin e Parlamentit, forcimin e institucioneve demokratike dhe integrimin në BE.


