Von der Leyen në Shkup: Një hap ndan Maqedoninë e Veriut nga hapja e klasterit të parë

03 Oct 2026 • 13:05
Shpërndaje:

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka kërkuar Maqedonisë së Veriut të ndërmarrë hapin kyç për të avancuar në negociatat me Bashkimin Evropian: ndryshimin e Kushtetutës dhe përfshirjen e bullgarëve mes komuniteteve të përmendura në të. Negociatat e anëtarësimit kanë nisur formalisht në vitin 2022; ndryshimet kushtetuese janë kushti për të ecur përpara me hapjen e klasterit të parë, “Themeloret”. 

Gjatë vizitës në Shkup dhe konferencës së përbashkët me kryeministrin Hristijan Mickoski, von der Leyen pranoi ndjeshmërinë e çështjes, por dha garanci për identitetin dhe gjuhën maqedonase në procesin e integrimit.

“Ne e mirëpresim Maqedoninë e Veriut me identitetin dhe gjuhën e saj”, deklaroi ajo, duke theksuar se kultura dhe gjuha maqedonase do ta pasuronin Bashkimin Evropian. 

Reklamë Ola

Presidentja e Komisionit njoftoi gjithashtu se Brukseli dhe Shkupi kanë rënë dakord të ndërmarrin javën e ardhshme një hap të ri në përpjekje për të zhbllokuar procesin. Sipas saj, pasi të kapërcehet ngërçi aktual, Maqedonia e Veriut mund të avancojë më shpejt në rrugën drejt BE-së. 

Nga ana tjetër, Mickoski kërkoi përfshirje më të drejtpërdrejtë të Bashkimit Evropian në dialogun me Bullgarinë dhe garanci që një kompromis i mundshëm të mos pasohet nga kushte të reja dypalëshe.

Reklamë InterMedika

Vizita në Shkup përkoi edhe me paralajmërimin e një faze të re të politikës së zgjerimit. Komisioni Evropian pritet të paraqesë më 6 tetor rishikimin e politikave para zgjerimit, ku do të shqyrtohet se çfarë duhet të ndryshojë në institucionet, politikat dhe buxhetin e vetë BE-së përpara pranimit të anëtarëve të rinj. 

Në një fazë pasuese, Komisioni ka paralajmëruar edhe udhërrëfyes për kandidatët më të avancuar. Sipas burimeve të BE-së të cituara në raportimet e fundit, këto plane pritet të përfshijnë Shqipërinë, Malin e Zi, Ukrainën dhe Moldavinë, duke përcaktuar hapa dhe objektiva më konkretë në rrugën drejt anëtarësimit. 

Për Shkupin, megjithatë, pengesa e menjëhershme mbetet marrëveshja për ndryshimet kushtetuese. Von der Leyen e bëri të qartë se kapërcimi i këtij ngërçi është hapi që do t’i hapte rrugën fazës së ardhshme të negociatave.