Ambasada Amerikane pritje për Eric Wendt, Berisha jashtë listës së të ftuarve

02 Oct 2026 • 22:24
Shpërndaje:

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë organizoi këtë të premte pritjen zyrtare për ambasadorin e ri amerikan, Eric Wendt, i cili nisi zyrtarisht misionin diplomatik në Shqipëri më 26 shtator, pas dorëzimit të letrave kredenciale te Presidenti Bajram Begaj.

Ceremonia u zhvillua nën masa të shtuara sigurie në një hotel në zonën e ish-Bllokut, me rreth 130 të ftuar nga politika, institucionet shtetërore, drejtësia dhe komunitetet e tjera publike. Mes të pranishmëve ishte edhe Presidenti Bajram Begaj.

Në pritje morën pjesë përfaqësues nga të dyja krahët e politikës. Nga Partia Demokratike u panë kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi, deputetët Oerd Bylykbashi, Jorida Tabaku dhe Belind Këlliçi. Nga Partia Socialiste morën pjesë figura të larta të mazhorancës dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore.

Reklamë Ola

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, nuk ishte pjesë e listës së të ftuarve, ashtu siç ishte raportuar edhe para zhvillimit të ceremonisë.

Në event morën pjesë gjithashtu ministra, drejtues institucionesh të drejtësisë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare. Mes emrave të pranishëm u raportuan ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, ish-kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, Bledi Çuçi, si dhe ish-kreu i SPAK, Altin Dumani.

Reklamë InterMedika

Wendt mbërriti në Shqipëri më 25 shtator, ndërsa një ditë më pas paraqiti letrat kredenciale te Presidenti Begaj. Në ditët e para të mandatit ai ka zhvilluar takime me drejtues të lartë të shtetit, përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësues të qeverisë.

Ambasadori i ri amerikan vjen në Tiranë pas një karriere të gjatë ushtarake dhe diplomatike. Gjatë dëgjesës në Senatin amerikan ai renditi ndër prioritetet e mandatit luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri kibernetike, si dhe mbështetjen për institucionet e drejtësisë shqiptare.