Rama prezanton paketën e re për drejtësinë: 62% e të burgosurve janë në paraburgim

30 Sep 2026 • 12:17
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, pjesë e një pakete të re garancish procedurale që synon të forcojë prezumimin e pafajësisë dhe të vendosë më shumë ekuilibër mes pushtetit të drejtësisë dhe të drejtave të individit.

Në fjalën e tij, Rama tha se 10 vite pas nisjes së reformës në drejtësi, rezultatet kanë treguar si forcën e saj, ashtu edhe dobësitë që janë shfaqur gjatë zbatimit në praktikë.

Sipas kryeministrit, reforma ka arritur të godasë kulturën e pandëshkueshmërisë, por tashmë është e nevojshme një ndërhyrje tjetër për të garantuar më shumë ekuilibër në procesin penal.

Reklamë Ola

“10 vjet më parë ne i dorëzuam pushtetit gjyqësor shpatën e ndëshkimit, sot duam të bëjmë një hap tjetër, më modest në përmasa, duam t’i japim më shumë ekuilibër pushtetit të drejtësisë”, deklaroi Rama.

Ai e cilësoi paketën e re si ndërhyrjen e parë që trajton në mënyrë të plotë dhe organike prezumimin e pafajësisë në procesin penal.

Reklamë InterMedika

Një nga çështjet kryesore të ngritura nga kryeministri ishte numri i lartë i personave që ndodhen në paraburgim. Duke iu referuar të dhënave të Këshillit të Europës, Rama tha se 62% e personave në institucionet penitenciare shqiptare janë të paraburgosur, ndërsa mesatarja europiane është rreth 26%.

Sipas tij, kjo tregon se “peshorja e drejtësisë anon dukshëm nga pesha represive e shtetit” dhe përbën një problem që duhet të trajtohet si nga Kuvendi, ashtu edhe nga sistemi gjyqësor.

Rama kërkoi që ndryshimet ligjore të shoqërohen edhe me angazhim institucional, duke theksuar se qeveria duhet të garantojë mbështetjen financiare dhe logjistike për sistemin, ndërsa magjistratët duhet të zbatojnë garancitë e reja procedurale.

Paketa pritet tashmë të kalojë në procesin parlamentar, ku do të shqyrtohen ndryshimet konkrete në Kodin e Procedurës Penale.