Vuçiç mes Moskës dhe zgjedhjeve, Rusia mban “çelësin” e gazit serb

27 Sep 2026 • 13:05
Shpërndaje:

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç zhvilloi më 26 shtator një bisedë telefonike rreth njëorëshe me presidentin rus Vladimir Putin, vetëm pak ditë përpara skadimit të marrëveshjes së furnizimit të Serbisë me gaz rus. Energjia dhe kompania NIS ishin ndër temat kryesore të diskutimit. 

Pas telefonatës, Vuçiç deklaroi se pret që aneksi i marrëveshjes së gazit, i cili skadon më 30 shtator, të zgjatet dhe që Serbia të vazhdojë të përfitojë furnizim të qëndrueshëm me një çmim prej rreth 318 eurosh për 1 mijë metër kub. 

Serbia mbetet ndjeshëm e varur nga Moska në këtë sektor, me gazin rus që përbën mbi 80% të furnizimit të saj. Beogradi ka nisur diversifikimin përmes importeve nga Azerbajxhani dhe prodhimit vendas, por këto burime nuk janë ende të mjaftueshme për të zëvendësuar furnizimin rus. 

Reklamë Ola

Ivana Stradner, nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive në Uashington, e interpreton këtë varësi si një instrument ndikimi të Moskës. Për Radion Evropa e Lirë, ajo e përshkruan qasjen ruse si politikë të “karotës dhe shkopit”: Moska mund t’i sigurojë Beogradit energjinë që i nevojitet, por njëkohësisht ruan një levë presioni ndaj tij.

Një tjetër çështje e rëndësishme është Industria e Naftës së Serbisë, NIS. Kompania është goditur nga sanksionet amerikane për shkak të pronësisë ruse, ndërsa po zhvillohen negociata për shitjen e pjesës ruse te kompania hungareze MOL. Edhe autorizimi amerikan që i mundëson NIS-it të vazhdojë operimin skadon më 30 shtator. 

Reklamë InterMedika

Vuçiç tha se kishte diskutuar me Putinin edhe për NIS-in, por e cilësoi këtë çështje “më të ndërlikuar”, pa njoftuar një zgjidhje konkrete. 

Telefonata merr peshë edhe për shkak të zhvillimeve politike në Serbi. Vuçiç e informoi Putinin se do të paraqiste dorëheqjen nga posti i presidentit, ndërsa Serbia ka zgjedhje të parakohshme parlamentare të caktuara për 25 tetor. 

Sipas Stradner, marrëdhënia Moskë-Beograd nuk kufizohet vetëm te energjia. Ajo vëren se Rusia e konsideron Serbinë një partner të rëndësishëm, ndërsa Beogradit i nevojitet mbështetja ruse në sektorin energjetik. Kremlini konfirmoi se gjatë telefonatës u diskutuan edhe zgjedhjet serbe dhe se të dyja palët folën kundër asaj që e cilësuan si “ndërhyrje të jashtme” në proceset zgjedhore.