Konferencë për integrimin në BE, Rama dhe opozita nesër në Kuvend

27 Sep 2026 • 13:00
Shpërndaje:

Kuvendi i Shqipërisë do të organizojë të hënën, më 28 shtator, Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”. Aktiviteti nis në orën 10:00.

Në konferencë do të marrin pjesë kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, si dhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder.

Nga opozita pritet të marrin pjesë deputetët Jorida Tabaku, Albana Vokshi dhe Agron Gjekmarkaj.

Reklamë Ola

Pjesë e konferencës do të jenë gjithashtu përfaqësues të institucioneve shqiptare, Parlamentit Europian, vendeve kandidate dhe parlamenteve të vendeve të tjera europiane. Kuvendi e kishte paralajmëruar zhvillimin e aktivitetit që në nisje të sesionit të ri parlamentar.

Në qendër të diskutimeve do të jetë procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian, rrugëtimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit dhe roli që parlamentet duhet të luajnë gjatë këtij procesi.

Reklamë InterMedika

Konferenca zhvillohet në një fazë të avancuar të negociatave të Shqipërisë me BE-në. Gjatë një takimi parlamentar më herët këtë muaj, ambasadorja Moreira de Sousa kërkoi ruajtjen e ritmit të reformave, veçanërisht në fushën e drejtësisë, si dhe transparencë dhe mbikëqyrje parlamentare gjatë procesit.