Media amerikane Contra Costa Herald i ka kushtuar një profil të zgjeruar ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric P. Wendt, një gjeneral-lejtnant në pension me më shumë se 34 vite karrierë ushtarake dhe përvojë të drejtpërdrejtë me Shqipërinë dhe NATO-n.
Wendt u nominua nga presidenti Donald Trump më 13 prill 2026 dhe u konfirmua nga Senati amerikan më 7 gusht. Sipas medias amerikane, ai bëri betimin më 19 gusht dhe pritet të marrë zyrtarisht detyrën në Tiranë pas paraqitjes së kredencialeve te Presidenti Bajram Begaj.
Në kohën e përgatitjes së shkrimit, Departamenti amerikan i Shtetit kishte bërë të ditur se Wendt nuk kishte mbërritur ende në Tiranë.
Ambasada amerikane e përshëndeti konfirmimin e tij, duke deklaruar se diplomati i ri do të punojë për sigurinë e përbashkët, forcimin e NATO-s dhe zgjerimin e mundësive ekonomike mes SHBA-së dhe Shqipërisë.
Nga “Beretat e Gjelbra” te diplomacia
Eric Patrick Wendt ka lindur më 7 tetor 1964 në Berkeley të Kalifornisë dhe është rritur në Clayton. Ai ka shërbyer për më shumë se 34 vjet në ushtrinë amerikane dhe ka arritur gradën e gjeneral-lejtnantit me tre yje.
Wendt ka qenë pjesë e Forcave Speciale të Ushtrisë Amerikane, të njohura si “Beretat e Gjelbra”, ndërsa detyra e tij e fundit në uniformë ishte drejtimi i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s.
Ai mori drejtimin e strukturës në nëntor 2019 dhe e mbajti postin deri përpara daljes në pension në vitin 2021.
Gjatë karrierës së tij ka shërbyer në Afganistan, Kore, Europë dhe Lindjen e Mesme, duke mbajtur një sërë postesh të larta ushtarake.
Një prej detyrave më të rëndësishme ishte ajo e Koordinatorit të Sigurisë së SHBA-së për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez. Në këtë funksion ai drejtoi një koalicion prej tetë shtetesh dhe raportonte drejtpërdrejt te Sekretari amerikan i Shtetit.
Ka punuar edhe me forcat shqiptare
Wendt nuk vjen në Shqipëri pa njohuri paraprake për vendin.
Gjatë periudhës kur drejtonte Komandën e Operacioneve Speciale të NATO-s, nën përgjegjësinë e tij ishin edhe forcat speciale shqiptare të caktuara në strukturat e Aleancës. Ai ka punuar gjithashtu drejtpërdrejt me drejtues dhe personel të mbrojtjes shqiptare.
Edhe gjatë shërbimit në Afganistan, ku ishte zëvendëskomandant rajonal, përgjegjësitë e tij përfshinin mbikëqyrjen e trupave shqiptare të dislokuara atje.
Përvoja me Shqipërinë dhe strukturat e saj ushtarake u evidentua edhe në dokumentacionin e paraqitur gjatë procesit të nominimit të tij.
Korrupsioni, krimi dhe siguria mes prioriteteve
Gjatë dëshmisë në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, Wendt e përshkroi Shqipërinë si një partnere të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara dhe aleate të NATO-s.
Sipas profilit të publikuar nga media amerikane, ndër prioritetet e tij pritet të jenë forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë, mbështetja e përpjekjeve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar, bashkëpunimi në sigurinë kibernetike dhe zgjerimi i marrëdhënieve ekonomike e tregtare mes dy vendeve.
Wendt ka një diplomë bachelor nga University of California, Santa Barbara dhe një master nga Naval Postgraduate School. Ai flet arabisht dhe koreançe dhe gjatë karrierës është dekoruar me disa prej medaljeve të larta ushtarake amerikane.
Trump e kishte zgjedhur edhe për Katarin
Emërimi në Shqipëri nuk është tentativa e parë për ta kaluar Wendt nga karriera ushtarake në një post ambasadori.
Në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të Donald Trump, ai u nominua për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Katar. Megjithatë, nominimi nuk u shqyrtua përfundimisht nga Senati përpara mbylljes së Kongresit të 116-të dhe u kthye pa veprim.
Pas largimit nga ushtria, Wendt vijoi aktivitetin në fushën e sigurisë dhe arsimit, përfshirë punën si profesor praktike në Naval Postgraduate School dhe si këshilltar i lartë i Departamentit të Mbrojtjes në Kore.
Tashmë, pas konfirmimit nga Senati, gjenerali me tre yje dhe ish-“Bereta e Gjelbër” pritet të marrë drejtimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.


