250 mln € kredi të buta për bujqësinë, Rama: Në Shqipërinë 2030 eksportet të arrijnë 1 mld €



“Kreditimi i sektorit bujqësor” ishte tryeza e diskutimit të zhvilluar sot në mjediset e Bankës së Shqipërisë, mbi identifikimin e rrugëve dhe krijimin e instrumenteve për një progres sa më cilësor në këtë proces.
Me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, Ministrit të Financave Petrit Malaj, Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, si dhe drejtuesve dhe përfaqësuesve të sistemit bankar në vend u diskutua gjerësisht për një qasje të re dhe novatore që synon t’i japë një frymëmarrje të re kreditimit, përmes institucioneve financiare.
Si rezultat i një procesi të gjatë konsultimi mes qeverisë dhe përfaqësuesve të sektorit bankar, Kryeministri Rama informoi se “sot kurorëzojmë në mënyrën më inkurajuese dhe më optimiste me vendimin e Bankës së Shqipërisë për të hapur një linjë të re inovative financimi prej 250 milionë eurosh për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me fokus tek bujqësia dhe marrëveshjen e nënshkruar mes Bankës Qendrore dhe bankave të nivelit të dytë për ta jetësuar këtë linjë financimi në funksion të projekteve të investimeve në sektorin e bujqësisë në radhë të parë.”
Me qeverinë si garante, do të mbështeten investimet në sera, agropërpunim, peshkim, akuakulturë, agroturizëm, inovacion teknologjik në shërbim të zhvillimit rural.

