Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se qeveria do të miratojë nesër projektbuxhetin për vitin 2027, i cili, sipas tij, do të kalojë për herë të parë pragun e 10 miliardë eurove.
Në një postim në rrjetin social X, Rama reagoi ndaj diskutimeve për masat e reja fiskale, duke pretenduar se debatet po mbështeten në dokumente pune të publikuara pjesërisht.
Ai e cilësoi paketën që do të shoqërojë buxhetin si më ambiciozen për rishpërndarjen e rritjes ekonomike.
“Flisni flisni për masat e reja fiskale, grijeni sallatën tuaj të urrejtjes dhe padijes me dokumenta pune të dalë gjysma-gjysma, se nesër e ka radhën qeveria të thotë fjalën e saj me miratimin e buxhetit të parë në histori që kalon pragun e 10 miliardë eurove dhe paketës më ambicioze të rishpërndarjes së rritjes ekonomike”, shkroi Rama.
Në reagimin e tij, kryeministri nuk dha hollësi për masat konkrete të paketës fiskale apo mënyrën e shpërndarjes së fondeve.


