Von der Leyen akuzon Rusinë: Po synon destabilizimin e Evropës
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka akuzuar Rusinë se po ndjek një strategji të qëllimshme për të destabilizuar Evropën, duke rritur tensionet në kufirin lindor të kontinentit.
Duke folur për mediat, ajo theksoi se situata në shtetet baltike është alarmante dhe përfaqëson një sfidë për të gjithë Evropën.
“Kur shtetet baltike po vihen në provë, po vihet në provë e gjithë Evropa”, deklaroi ajo.
Von der Leyen pranoi se vendet si Estonia, Letonia dhe Lituania po përjetojnë situata që deri vonë konsideroheshin të së kaluarës.
“Alarme për sulme ajrore, familje që strehohen, mbyllje shkollash, ndërprerje transporti. Ky është realiteti në kufirin lindor të Evropës në vitin 2026. Sot është këtu. Nesër do të jetë diku tjetër përgjatë kufirit lindor”, u shpreh ajo.
Sipas saj, këto zhvillime nuk janë incidente të izoluara, por pjesë e një strategjie të mirëfilltë nga Moska për të minuar stabilitetin e shoqërive demokratike evropiane.
“Kjo është një strategji e qëllimshme nga Rusia që përpiqet të destabilizojë shoqëritë tona demokratike. Këto nuk janë incidente të izoluara, por një strategji e mirëmenduar”, theksoi von der Leyen.
Ajo shtoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të qëndrojë në solidaritet të plotë me vendet baltike dhe të forcojë masat mbrojtëse.
Ndërkohë, edhe NATO po përgatitet të rrisë praninë ushtarake në krahun lindor të aleancës, në përgjigje të zhvillimeve të fundit.
Zhvillimet e fundit tregojnë rritjen e shqetësimeve për sigurinë në Evropë, ndërsa tensionet me Rusinë vijojnë të mbeten të larta.







