×
Tuesday, May 26, 2026

Konferenca Ndërqeveritare në Bruksel, Rama: Shqipëria 100% në linjë me politikat e BE-së

May 26, 2026


Ka nisur në Bruksel Konferenca e 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, një etapë e rëndësishme në procesin e anëtarësimit të vendit në BE.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga një delegacion i përbërë nga ministra të kabinetit qeveritar, foli për mediat pak para nisjes së konferencës, duke e cilësuar këtë moment si kyç për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

“Është një moment shumë shumë i rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit dhe është një moment për të cilin kemi punuar shumë fort qysh prej një kohe të gjatë. Dhe është një moment ku gjysma e punës nëse duhet ta them kështu e kapitujve të hapur do të mbyllet dhe gjysma tjetër e mbylljes do të hapet.

Unë në fakt i kam përmendur, kam qenë kampion i qasjeve të ndryshme në të kaluarën sepse kam mësuar se kapaciteti për të vazhduar zgjerimin, siç ka ndodhur më përpara nuk është aty, në kryeqytetet e rëndësishme dhe është shumë e qartë nga ana tjetër që nëqoftëse bëhet si duhet është gjëja e duhur për tu bërë.

Pra e mbështes, por duhet të diskutohet, duhet konceptuar ashtu siç duhet sepse nuk ka të bëjë me një anëtarësim të lehtë. Ka të bëjë së pari me një union real politik dhe së dyti me një rrugëtim të anëtarësimit të plotë me të drejta të plota bashkë me reformat e nevojshme të Bashkimit Europian.

Dëgjoni, Shqipëria është një vend që gjithmonë ka qenë 100% në përputhje me politikën e jashtme të BE-së, kështu që nuk kemi ndjerë ndonjë kënaqësi të përfytyrojmë të kemi veto, duke qenë vendi më pro Bashkimit Evropian e më pro atlantik në Evropë dhe kur them vendi më pro BE-së flas për barometrin e BE-së, nuk flas për atë që mendojmë ne. Ne jemi fanatikë të BE-së, kështu që fanatikët e BE-së nuk mund të vënë veto për vendimet e BE-së”, tha Rama.

Për Shqipërinë, kjo konferencë pritet të konfirmojë përmbushjen e standardeve të ndërmjetme dhe të vendosë standardet përmbyllëse për Grupin 1 “Bazat”, një nga grupkapitujt më të rëndësishëm të negociatave.

Ky grup përfshin Kapitullin 23 – gjyqësorin dhe të drejtat themelore, Kapitullin 24 – drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, funksionimin e institucioneve demokratike, reformën e administratës publike dhe kriteret ekonomike.

Gjithashtu, pjesë e këtij grupi janë edhe Kapitulli 5 – prokurimi publik, Kapitulli 18 – statistikat dhe Kapitulli 32 – kontrolli financiar, të cilat konsiderohen thelbësore për përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian.

Konferenca Ndërqeveritare shihet si një hap i rëndësishëm në avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.




Comments are closed.