×
Sunday, December 1, 2024

Varhelyi: Të nisin negociatat për anëtarësim në BE me Tiranën dhe Shkupin

January 15, 2020


Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Oliver Varhelyi zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Maqedonine e Veriut ku u prit nga kryeministri i qeverisë teknike, Oliver Spasovski.

Në konferencën e përbashkët për media, Spasovski tha se anëtarësimi në BE është ndër prioritetet e larta strategjike të Maqedonisë së Veriut. Duke theksuar zhgënjimin nga vendimi i vitit të kaluar i BE-së për të mos filluar bisedimet, Spasovski tha se vendimi për fillimin e bisedimeve duhet të merret sa më shpejt që është e mundur.

“Programi i Komisionit të ri Evropian paraqet një shpresë të re të madhe për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe forcimin e pozicioneve tona si anëtare të ardhshme të BE-së. Komisioni Evropian gjithmonë ka qenë dhe mbetet aleati ynë i parë dhe i sinqertë në përpjekjen tonë për anëtarësim në BE dhe ne presim që kjo aleancë të vazhdojë me përbërjen e re të Komisionit Evropian”, tha Spasovski.

Spasovski gjithashtu tha se Maqedonia e Veriut është e interesuar që sa më shpejtë të publikohet dokumenti për ndryshimet e metodologjisë për bisedimet për anëtarësim, i cili nga komisari Varhelyi është paralajmëruar se do të publikohet deri në fund të këtij muaji.

Ndresa komisioneri i BE per zgjerimin, Varhelyi ne fjalen e tij tha se kjo është vizita e tij e parë zyrtare jashtë BE-së, duke shtuar se ka dashur që vizita e parë të jetë në Maqedoninë e Veriut, e cila sipas tij, ka bërë shumë përpjekje për të filluar bisedimet për anëtarësim.

Varhelyi gjithashtu tha se do të vazhdojë procesi i zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se do të vazhdojnë të punojnë edhe më fuqishëm në këtë aspekt.

“Për komisionin e ri, zgjerimi nuk është tabu, për Komisionin e ri zgjerimi është prioritet. Komisioni nuk mund të punojë pa një ndikim më të madh në rajon dhe unë do të përkushtohem në punën time për të arritur këtë. Ne duhet të punojmë në bazë të vlerësimit se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të gatshme për të filluar negociatat e anëtarësimit. Nuk ka asnjë ndryshim në këtë dhe ne do t’i përmbahemi vlerësimit tonë origjinal, që është se duhet të fillojmë negociatat e anëtarësimit me këto dy shtete”, tha Varhelyi.

Ai gjithashtu tha se nevojitet një vendim pozitiv i Këshillit të BE-së për fillimin e bisedimeve para Samitit të radhës së BE-së i cili do të mbahet në Zagrab në muajin maj. Varhelyi theksoi se për këtë arsye, në muajt në vijim do të punohet në pakon e re të bisedimeve për anëtarësim.

Varhelyi inkurajoi institucionet e Maqedonisë së Veriut që të vazhdojnë me reformat, sidomos me ligjin e ri të Prokurorisë Publike.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments