×
Wednesday, May 6, 2026

UET dhe Aviatec sjellin në Shqipëri programin për mirëmbajtjen e avionëve, certifikim europian për të rinjtë

May 6, 2026


Në Shqipëria po hapet një mundësi e re formimi profesional në fushën e aviacionit, përmes programit “Aircraft Maintenance Technician (AMT)”, i sjellë nga Universiteti Europian i Tiranës në bashkëpunim me kompaninë Aviatec.

Programi dy-vjeçar u prezantua si një nismë që synon të përgatisë teknikë të certifikuar sipas standardeve të Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit, duke u ofruar studentëve licencë të njohur ndërkombëtarisht për punësim në industrinë globale të aviacionit.

Sipas përfaqësuesve të programit, profesioni i inxhinierit të mirëmbajtjes së avionëve është ndër më të kërkuarit në tregun europian, për shkak të mungesës së specialistëve të kualifikuar dhe rritjes së industrisë së fluturimeve.

“Ka një shaka midis pilotëve: ata janë heronjtë, por pa teknikët, pilotët janë thjesht pasagjerë optimistë”, u shpreh administratori i UET, Tildi Çadri, duke theksuar rëndësinë e këtij profesioni.

Ai shtoi se vetëm në Ballkanin Perëndimor ka një mungesë të ndjeshme teknikësh çdo vit, duke e cilësuar këtë program si një mundësi reale për integrimin e shpejtë të të rinjve në tregun e punës.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Aviatec, Ioannis Deligiannis, theksoi se industria e aviacionit do të ketë nevojë në rritje për specialistë edhe në të ardhmen, sidomos me zhvillimin e teknologjive të reja si dronët dhe sistemet autonome.

“Profesioni i inxhinierit të avionëve do të ketë kërkesë të lartë në vitet e ardhshme”, u shpreh ai, duke shtuar se trajnimi përfshin mijëra orë praktike dhe teorike.

Sipas organizatorëve, programi AMT synon të krijojë një brez të ri profesionistësh të certifikuar ndërkombëtarisht, duke hapur mundësi karriere jo vetëm në Shqipëri, por edhe në tregun global të aviacionit.




Comments are closed.