Tirana transformon “Tregun Çam”, Ristani: Nga fasadat te kanalizimet, zonë me standard të ri urban
Zona e njohur si “Tregu Çam” në Tirana pritet të pësojë një transformim të plotë të infrastrukturës publike, në kuadër të një projekti rikualifikimi urban që përfshin rrugë, fasada biznesesh dhe shërbime bazë.
Nënkryetarja e Bashkia e Tiranës, Anuela Ristani, inspektoi punimet në zonë, duke theksuar se projekti synon të rrisë cilësinë e jetesës dhe shërbimeve për banorët dhe bizneset.
“Jemi në një zonë shumë qendrore të Tiranës, por për hir të së vërtetës një zonë që ka pasur mungesa të shumta infrastrukture, qoftë kjo nga infrastruktura e vjetër, qoftë kjo nga ajo që është shtuar rishtazi, si pasojë e gjithë nevojës që ka pasur zona për shërbime. Kjo zonë u shërben edhe qindra të tjerëve çdo ditë, për nga shërbimet që ofron dhe për nga rëndësia e pozicionimit”, deklaroi Ristani.
Ajo shtoi se një nga problematikat kryesore të zonës, sistemi i kanalizimeve të ujërave të zeza, është zgjidhur tashmë.
Projekti parashikon rehabilitimin e fasadave të bizneseve me stil neoklasik, unifikimin e reklamave, ndriçim dekorativ dhe krijimin e një identiteti të ri urban. Po ashtu, do të ndërhyhet në rrugët “Shyqyri Berxolli”, “Reshit Çollaku” dhe “Çamëria”, me trotuare të reja, ndriçim LED, sinjalistikë moderne dhe gjelbërim.
Ristani theksoi se ndërhyrja është komplekse për shkak të pozicionit qendror dhe ndërthurjes së banesave me bizneset, por sipas saj, përfundimi i projektit do të sjellë një standard më të lartë urban dhe funksional për një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit.






