25 vite partneritet Shqipëri–SHBA në mbrojtje, theksohet roli strategjik dhe sfidat e reja në siguri
Forcat e Armatosura të Shqipëria dhe Garda Kombëtare e Nju Xhersi kanë shënuar 25-vjetorin e partneritetit të tyre në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror, një bashkëpunim i cilësuar si i qëndrueshëm dhe strategjik për sigurinë dhe mbrojtjen.
Me këtë rast, një delegacion amerikan i kryesuar nga gjeneral brigade Yvonne Mays vizitoi Shqipërinë, ndërsa ceremonia përkujtimore u zhvillua në ambientet e Forcës Tokësore në Zall Herr.
Në këtë aktivitet morën pjesë figura të larta shtetërore dhe ushtarake, përfshirë Presidentin Bajram Begaj, Ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Arben Kingji, si dhe përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së.
Në fjalën e tij, ministri Nufi e cilësoi partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një nga shtyllat kryesore të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Shqipërisë, duke theksuar se bashkëpunimi 25-vjeçar ka ndikuar drejtpërdrejt në modernizimin e Forcave të Armatosura dhe rritjen e rolit të vendit në NATO.
Sipas tij, ky bashkëpunim ka përfshirë zhvillimin e kapaciteteve profesionale, edukimin e oficerëve të rinj, forcimin e trupës së nënoficerëve, si dhe bashkëpunimin në fusha si mjekësia ushtarake, menaxhimi i emergjencave civile dhe misionet ndërkombëtare, përfshirë Afganistani.
Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e sfidave të reja, veçanërisht në fushën e mbrojtjes kibernetike, duke nënvizuar nevojën për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me SHBA-në në këtë drejtim.
Ai bëri të ditur se Shqipëria po avancon edhe në përgatitjen e Grup-Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë për vlerësim nga NATO, ndërsa stërvitjet e përbashkëta dhe rritja e ndërveprueshmërisë mbeten prioritete kyçe.
Në përfundim, u theksua se Programi i Partneritetit Shtetëror do të vijojë të forcojë marrëdhëniet mes dy vendeve, duke kontribuar në sigurinë rajonale dhe kolektive, ndërsa Shqipëria mbetet e angazhuar për të përmbushur detyrimet e saj si aleate në NATO.






