Trump: Marrëdhënia e SHBA-së me NATO-n nuk është reciproke, është qesharake
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kritikuar sërish marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe NATO-s, duke i cilësuar ato si të pabarabarta dhe në disfavor të SHBA-së, vetëm pak ditë përpara samitit të Aleancës që do të zhvillohet më 7-8 korrik në Ankara.
Përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi se është “qesharake” që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të mbajnë një marrëdhënie “të njëanshme” me NATO-n.
“Ata nuk ishin aty për ne!!!”, shkroi Trump, duke shtuar se marrëdhënia e SHBA-së me aleancën “nuk është reciproke”.
Presidenti amerikan ka kritikuar vazhdimisht aleatët evropianë, duke argumentuar se ata nuk kontribuojnë mjaftueshëm në mbrojtjen e përbashkët dhe duhet të marrin një rol më të madh në garantimin e sigurisë së Evropës.
Në postimin e tij, Trump publikoi edhe një grafik mbi shpenzimet ushtarake të vendeve të NATO-s, ku SHBA-ja paraqitet si kontribuuesi kryesor financiar i aleancës.
Nën presionin e administratës Trump, liderët e NATO-s ranë dakord vitin e kaluar të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.
Samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbledhë përfaqësuesit e 32 vendeve anëtare, ndërsa pritet të fokusohet në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të aleancës, ndarjen e barrës financiare dhe sfidat e sigurisë që lidhen me luftën në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme.







