Lufta me Iranin nxori në pah tensione mes SHBA-së dhe Arabisë Saudite
Lufta me Iranin duket se ka ndryshuar ekuilibrat gjeopolitikë në Lindjen e Mesme, duke nxjerrë në pah edhe tensione mes dy aleatëve tradicionalë, Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite.
Sipas raportimeve të Wall Street Journal dhe New York Times, mosmarrëveshjet nisën pasi Irani bllokoi Ngushticën e Hormuzit. Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi nisjen e operacionit “Project Liberty” për rihapjen e korridorit strategjik, pa u konsultuar paraprakisht me Riadin.
Arabia Saudite kundërshtoi përdorimin e bazave të saj ushtarake për operacionin, duke detyruar Pentagonin të rishikojë planet. Sipas mediave amerikane, Uashingtoni paralajmëroi se mund të pezullonte furnizimin me municione kundërajrore, të domosdoshme për mbrojtjen saudite nga raketat iraniane.
Pas zhvillimeve u zhvilluan kontakte intensive telefonike mes princit të kurorës Mohammed bin Salman dhe zyrtarëve të lartë amerikanë, përfshirë Donald Trump, JD Vance, Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Burimet bëjnë të ditur se bisedimet u zhvilluan në një klimë tensioni.
Sipas raportimeve, Mohammed bin Salman kundërshtoi përshkallëzimin e konfliktit dhe mbështeti vazhdimin e negociatave me Teheranin. Ai mungoi edhe në samitin e G7, ndërsa autoritetet saudite e justifikuan këtë me angazhime të tjera.
Raportet sugjerojnë se Arabia Saudite fillimisht mbështeti dobësimin e kapaciteteve ushtarake iraniane, por më pas ndryshoi qasje, duke favorizuar një zgjidhje diplomatike. Në këtë proces, Riadi ka bashkëpunuar edhe me Kinën për të mbajtur të hapur dialogun me Iranin.
Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme për transportin global të naftës, ka rritur shqetësimet për ekonominë botërore dhe ka forcuar bindjen e udhëheqjes saudite se dialogu me Teheranin është i domosdoshëm për stabilitetin rajonal.
Konflikti ka nxjerrë në pah edhe dobësitë e mbrojtjes në Gjirin Persik. Disa baza amerikane u konsideruan të ekspozuara ndaj sulmeve me raketa dhe dronë, ndërsa SHBA-ja po shqyrton zhvendosjen e një pjese të kapaciteteve të saj ushtarake në Izrael.
Ndërkohë, vendet e Gjirit po përballen me mungesa të municioneve për sistemet e mbrojtjes ajrore dhe kanë rritur blerjet e teknologjisë ushtarake, përfshirë sisteme izraelite, pavarësisht rezervave politike për shkak të luftës në Gaza.
Sipas analistëve, zhvillimet e fundit kanë krijuar një realitet të ri strategjik në Lindjen e Mesme, ku vendet arabe përpiqen të ruajnë partneritetin me SHBA-në, ndërsa njëkohësisht mbajnë të hapura kanalet diplomatike me Iranin.







