×
E martë, 24 Nëntor, 2020

Trump kërkon rinumërim në Xhorxhia. Gjykata rrëzon padinë për Pensilvaninë

22 Nëntor, 2020

Zyrtarët e fushatës të Presidentit Donald Trump kërkuan të shtunën rinumërimin e votave në Xhorxhia, një ditë pasi zyrtarët e këtij shteti çertifikuan rezultatin sipas të cilit demokrati Joe Biden është fitues i garës në këtë shtet. Ekipi ligjor i presidentit vazhdon të pretendojë për manipulime në shkallë të gjerë, por pa ofruar prova lidhur me këto pretendime.

Rezultatet e Xhorxhias treguan se zoti Biden mundi zotin Trump me 12,670 vota më shumë, nga rreth 5 milionë të hedhura gjithsej, ose me 0.25 për qind më shumë krahasuar me rivalin e tij. Ligji shtetëror lejon një kandidat të kërkojë rinumërim nëse diferenca me fituesin, është më pak se 0.5 për qind. Guvernatori republikan Brian Kemp zyrtarizoi listën e shtetit me 16 anëtarë të kolegjit elektoral që do të votojnë për të zgjedhur presidentin.

Ndërkohë zyrtarët e fushatës së zotit Trump i dërguan një letër sekretarit të shtetit duke i kërkuar rinumërimin. Në një deklaratë të ekipit ligjor të zotit Trump shkruhej se “sot zyrtarët e fushatës së zotit Trump paraqitën një kërkesë për rinumërim në Xhorxhia. Ne jemi përqendruar të sigurohemi që është ndjekur çdo aspekt i ligjit shtetëror të Xhorxhias dhe Kushtetutës amerikane në mënyrë që çdo votë e ligjshme të numërohet. Presidenti Trump dhe fushata e tij vazhdojnë të insistojnë në një rinumërim të ndershëm në Xhorxhia, i cili duhet të përfshijë përputhjen e nënshkrimeve si dhe masa të tjera mbrojtëse jetike“.

Numërimi do të bëhet duke përdorur makineri skanuese që lexojnë fletëvotimet dhe paraqesin rezultatet e votimit. Punonjësit e zgjedhjeve kanë bërë tashmë një rinumërim të plotë me dorë të të gjitha votave të hedhura në garën presidenciale. Por masa e re buroi nga një kërkesë e detyrueshme për një rivlerësim të votave dhe që sipas ligjit nuk konsiderohet një rinumërim zyrtar.

Përpjekjet e Presidentit amerikan Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit morën një tjetër goditje të shtunën kur një gjyqtar federal hodhi poshtë një padi gjyqësore të ngritur nga fushata e tij që kërkonte të zhvlerësonte miliona vota të hedhura me postë në Pensilvani.

Gjyqtari Matthew Brann deklaroi se ekipi i Presidentit Trump nuk kishte arritur të provonte se kishte pasur manipulim në shkallë të gjerë me votat në zgjedhjet e 3 nëntorit, të cilat zoti Trump i humbi ndaj rivalit demokrat Joe Biden.

“Kësaj gjykate i janë paraqitur argumente ligjore pa bazë dhe me akuza spekulative”, shkroi gjyqtari në vendimin e tij.

Ai shtoi se (Trump) “nuk ka asnjë autoritet t’i heqë të drejtën e votës qoftë edhe një personi të vetëm, pa folur pastaj për miliona qytetarë”.

Në padinë gjyqësore, të drejtuar nga avokati personal i zotit Trump, Rudy Giuliani, bëhej përpjekje për të ndaluar zyrtarët të çertifikonin fitoren e zotit Biden në Pensilvani, me argumentin se disa qarqe gabimisht i kishin lejuar votuesit të ndreqinin gabimet në fletët e tyre të votimit.

Kjo ishte më e bujshmja ndër dhjetëra padi gjyqësore të ngritura nga Presidenti Trump dhe aleatët e tij republikanë pas zgjedhjeve. Ata po përpiqen gjithashtu të zhvlerësojnë ose ndryshojnë rezultatet përmes rinumërimeve dhe trysnisë së drejtpërdrejtë mbi ligjvënësit në disa shtete.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për