×
Tuesday, June 23, 2026

Trump: Irani pranoi inspektime bërthamore të pakufizuara, bisedimet po ecin mirë

June 23, 2026


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se Irani ka rënë dakord për nivelin më të lartë të inspektimeve bërthamore për një periudhë të pakufizuar kohore, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, Trump tha se marrëveshja për inspektimet garanton atë që ai e quajti “ndershmëri bërthamore” dhe paralajmëroi se pa këtë dakordësi nuk do të kishte vazhdim të negociatave.

“Nëse nuk do të binin dakord për këtë, nuk do të kishte negociata të mëtejshme”, shkroi presidenti amerikan.

Trump pretendoi se, pavarësisht deklaratave publike të autoriteteve iraniane dhe raportimeve që ai i cilësoi si të pasakta nga mediat, Teherani ka pranuar plotësisht një regjim të zgjeruar inspektimesh bërthamore.

Sipas tij, kjo marrëveshje, së bashku me disa lëshime të tjera nga pala iraniane, ka krijuar kushtet për avancimin e dialogut mes dy vendeve.

Presidenti amerikan bëri të ditur gjithashtu se ka rënë dakord të mos vendosë bllokadë detare në Ngushticën e Hormuzit, duke lejuar që korridori strategjik të mbetet i hapur për lundrimin ndërkombëtar.

“Bazuar në këtë dhe lëshime të tjera të mëdha që po bëhen nga Irani, unë kam rënë dakord të lejoj që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur, pa bllokadë të mëtejshme detare”, deklaroi Trump.

Megjithatë, ai paralajmëroi se forcat amerikane do të mbeten në gatishmëri dhe se masat mund të rikthehen nëse situata ndryshon.

Trump foli edhe për lehtësimin e disa sanksioneve ekonomike ndaj Iranit, duke theksuar se fondet e liruara do të kontrollohen nga Shtetet e Bashkuara dhe do të përdoren vetëm për blerjen e produkteve humanitare.

Sipas tij, paratë do të shërbejnë për furnizimin e Iranit me ushqime dhe produkte mjekësore, përfshirë misër, grurë dhe sojë të prodhuara nga fermerët amerikanë.

“Kjo është një krizë humanitare dhe mendoj se është e nevojshme të ndihmohet tani, para se të jetë tepër vonë”, u shpreh presidenti amerikan.

Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur negociatat mes SHBA-së dhe Iranit po vazhdojnë në Zvicër me ndërmjetësimin e Katarit dhe Pakistanit, ndërsa çështjet kryesore mbeten programi bërthamor iranian, sanksionet ekonomike dhe siguria në Ngushticën e Hormuzit.

“Bisedimet po shkojnë mirë”, përfundoi Trump në mesazhin e tij, duke lënë të kuptohet se palët mund të jenë më pranë një marrëveshjeje të re pas muajsh tensionesh dhe përplasjesh diplomatike.




Comments are closed.