×
Wednesday, July 22, 2026

Trump kërcënon Iranin: Çdo sulm në Ngushticën e Hormuzit do të pasohet me bombardime amerikane

July 22, 2026


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Iranit, duke deklaruar se çdo sulm i ardhshëm iranian ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit do të marrë një përgjigje të menjëhershme ushtarake nga SHBA.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump paralajmëroi se Uashingtoni do të godasë objekte strategjike iraniane nëse Teherani sulmon trafikun detar në këtë korridor kyç ndërkombëtar.

“Nga kjo pikë e tutje, sa herë që Republika Islamike e Iranit qëllon një anije në Ngushticën e Hormuzit, qoftë me raketë, dron apo çdo lloj arme tjetër, Shtetet e Bashkuara do të bombardojnë dhe shkatërrojnë një urë ose termocentral, përfshirë ato pranë ose në kryeqytetin Teheran”, shkroi Trump.

Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se një objektiv i mundshëm i operacioneve të ardhshme ushtarake është kompleksi nëntokësor i njohur si Pickaxe Mountain, për të cilin SHBA dyshon se lidhet me programin bërthamor iranian.

“Ne do ta godasim atë zonë shumë shpejt dhe shumë rëndë”, u shpreh Trump.

Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të hapura për zgjidhje diplomatike me Iranin, por shtoi se administrata amerikane nuk beson se Teherani po negocion me seriozitet.

Irani i hodhi poshtë akuzat amerikane. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, deklaroi se në zonën Kolang Kouh, e njohur edhe si Pickaxe Mountain, nuk zhvillohet asnjë aktivitet bërthamor.

Sipas tij, kërcënimet dhe sulmet e përsëritura të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Baghaei shtoi se të gjitha aktivitetet bërthamore të Iranit janë deklaruar pranë Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), ndërsa pretendimet amerikane për kompleksin Pickaxe Mountain i cilësoi si një “pretekst të fabrikuar për agresion, shkatërrim dhe sabotim”.




Comments are closed.