×
Wednesday, July 22, 2026

Qeveria miraton ndryshime për personat me aftësi të kufizuara, Policinë e Shtetit dhe sigurinë rrugore

July 22, 2026


Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e radhës një sërë vendimesh që prekin mbrojtjen sociale, sigurinë, integrimin evropian dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Ndër vendimet e miratuara janë ndryshimet në aktet nënligjore që rregullojnë procedurat për vlerësimin dhe përfitimin e aftësisë së kufizuar, pagesat për personat me aftësi të kufizuara dhe ndihmësit personalë. Po ashtu, janë miratuar shtesa në skemën e përfitimeve për personat me statusin e të verbrit.

Qeveria ka vendosur gjithashtu ndryshime në vendimin për mbrojtjen e veçantë nga shteti të grave të papuna me tre ose më shumë fëmijë deri në moshën 18 vjeç.

Në fushën e sigurisë, është miratuar vendimi që përcakton rregullat, procedurat dhe masën e kompensimit për punonjësit e Policisë së Shtetit në rast plagosjeje ose dëmtimi të shëndetit gjatë kryerjes së detyrës, si dhe procedurat për trajtimin e familjarëve të efektivëve që humbin jetën për shkak të detyrës.

Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe Strategjinë Kombëtare për Sigurinë Rrugore 2026–2030, së bashku me planin e veprimit për periudhën 2027–2029, që synon përmirësimin e sigurisë në rrugë dhe uljen e numrit të aksidenteve.

Në kuadër të procesit të integrimit evropian, qeveria miratoi një vendim për hartimin e legjislacionit në fushën penale, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar u miratua marrëveshja mes Shqipërisë dhe Ukrainës për transportin ndërkombëtar rrugor, si dhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe zhvillimin e kontrolleve të përbashkëta kufitare.

Në të njëjtën mbledhje, Këshilli i Ministrave vendosi lirimin nga detyra të Vilma Premtit si zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme.




Comments are closed.