BE drejt paketës së 21-të të sanksioneve ndaj Rusisë, shtetet anëtare kërkojnë përjashtime për interesat kombëtare
July 22, 2026
Ambasadorët e Bashkimit Evropian pritet të bëjnë një tjetër përpjekje këtë të mërkurë për të finalizuar paketën e 21-të të sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa negociatat janë vështirësuar nga kërkesat e disa shteteve anëtare për të mbrojtur interesat e tyre në sektorët e energjisë, transportit detar, bankave dhe industrisë së peshkimit.
Paketa, e propozuar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në muajin qershor, është e para që negociohet pas largimit të Viktor Orbán nga drejtimi i Hungarisë. Për vite me radhë, Orbán kishte kërcënuar me bllokimin e sanksioneve ndaj Moskës, duke u dhënë mbulim edhe vendeve të tjera që hezitonin të mbështesnin masa më të ashpra.
Megjithatë, sipas POLITICO, edhe pa kundërshtimin e Hungarisë, disa qeveri kanë kërkuar zbutjen ose heqjen e një sërë masash.
“Ka qenë surprizë dhe zhgënjim të shohësh se sa shumë shtete anëtare kanë ngadalësuar procesin. Është thelbësore të vazhdojmë forcimin e sanksioneve, në një moment kur Rusia po ndien gjithnjë e më shumë presionin ekonomik të luftës”, tha eurodeputeti finlandez Ville Niinistö.
Sipas diplomatëve evropianë, pas 20 paketave të mëparshme të sanksioneve, Bashkimi Evropian po përballet gjithnjë e më shumë me interesat ekonomike të vendeve anëtare.
“Nuk ka më objektiva të lehtë. Pas 20 paketash, është e pashmangshme të përplasesh me interesat kombëtare dhe duhet gjetur një ekuilibër”, tha një diplomat i BE-së i përfshirë në negociata.
Një nga kundërshtimet kryesore ka ardhur nga Greqia, e cila ka refuzuar të mbështesë paketën për shkak të ndalimit të propozuar për transportin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) rus drejt vendeve të treta nga kompani evropiane.
Athina, që kontrollon flotën më të madhe tregtare në botë, argumenton se masa do të dëmtonte kompanitë greke që operojnë anije akullthyese për eksportin e LNG-së ruse.
Rezerva kanë shprehur edhe Malta dhe Qipro lidhur me zgjatjen e kufirit të çmimit për naftën ruse.
Ndërkohë, Austria ka ndërhyrë në mbështetje të bankës Raiffeisen, e cila kërkon kompensim për asetet e saj të sekuestruara në Rusi. Komisioni Evropian i ka premtuar Vjenës se çështja do të shqyrtohet në një paketë të ardhshme sanksionesh.
Edhe propozimi për ndalimin gradual të importeve të peshkut rus është hequr nga drafti, pas kundërshtimeve të disa vendeve që paralajmëruan rritje të çmimeve dhe pasoja për industrinë evropiane të përpunimit të peshkut.
Po ashtu, janë hequr nga paketa sanksionet ndaj Patriarkut të Kishës Ortodokse Ruse, Kirill, pas kundërshtimeve të Bullgarisë dhe Italisë. Sipas diplomatëve evropianë, edhe Vatikani ka shprehur rezervat e tij për vendosjen e sanksioneve ndaj kreut të një kishe.
Franca dhe Italia kanë kërkuar gjithashtu zbutjen e kufizimeve të propozuara ndaj ish-ushtarakëve rusë, duke argumentuar se nuk ekziston ende një mekanizëm i qartë për identifikimin e personave që duhet të përfshihen në listë.
Megjithatë, drafti aktual i paketës parashikon përjashtimin e dhjetëra bankave të tjera ruse nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT, si dhe ndalimin e hyrjes në Bashkimin Evropian për më shumë se 250 persona, duke shënuar zgjerimin më të madh të listës së sanksioneve individuale që nga viti 2023.
Edhe pse një marrëveshje pritet të arrihet, diplomatët pranojnë se janë bërë lëshime të konsiderueshme për të siguruar konsensusin e të 27 vendeve anëtare.
“Orbán ishte i vështirë, por ai nuk i bllokoi kurrë tërësisht paketat e sanksioneve”, tha një diplomat evropian, duke nënvizuar se edhe pa të, arritja e unanimitetit mbetet një sfidë për Bashkimin Evropian.