Hegseth: Irani është në pikën më të dobët ushtarakisht, por mbetet ende një kërcënim
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se Irani ndodhet në pikën më të dobët ushtarakisht pas gati dy javësh sulmesh ajrore të Shteteve të Bashkuara, megjithëse pranoi se Teherani vazhdon të përbëjë një kërcënim në rajon.
Duke dëshmuar para Komisionit të Senatit për Ndarjet Buxhetore, Hegseth tha se administrata e presidentit Donald Trump po arrin objektivin e saj për të penguar Iranin të rindërtojë programin e armëve bërthamore dhe të destabilizojë vendet e Lindjes së Mesme.
“Ata ende kanë kapacitete, pa asnjë dyshim. Por dëmi që u kemi shkaktuar gjatë këtyre operacioneve i ka vendosur në gjendjen më të dobët që kanë qenë ndonjëherë”, u shpreh ai.
Megjithatë, kreu i Pentagonit nuk dha një afat se kur mund të përfundojë konflikti, ndërsa theksoi se operacionet ushtarake do të vazhdojnë sipas objektivave të përcaktuara nga administrata amerikane.
Hegseth bëri të ditur se kostoja e operacioneve ushtarake kundër Iranit ka arritur në rreth 37.5 miliardë dollarë gjatë pesë muajve të fundit. Ai u kërkoi ligjvënësve të miratojnë fonde shtesë për të mbuluar shpenzimet dhe për të ruajtur gatishmërinë ushtarake.
Sipas Departamentit të Mbrojtjes, rreth 21.3 miliardë dollarë do të nevojiten për pagesat e personelit ushtarak, furnizimin me karburant dhe zëvendësimin e pajisjeve të përdorura në operacionet e fundit.
Administrata Trump po kërkon gjithashtu afro 46 miliardë dollarë të tjerë për blerjen shumëvjeçare të municioneve, armëve hipersonike dhe sistemeve kundër dronëve.
Megjithatë, demokratët në Senat kundërshtuan kërkesën për 67 miliardë dollarë fonde shtesë para përfundimit të vitit fiskal në shtator, duke argumentuar se administrata po përpiqet të shmangë procedurat normale të miratimit të buxhetit.
“Kjo administratë po e paraqet si një kërkesë emergjente, por në fakt duket më shumë si një përpjekje për të anashkaluar procesin normal të ndarjes së fondeve. Një pjesë e madhe e kësaj kërkese nuk përbën emergjencë”, deklaroi senatorja Patty Murray.
Ndërkohë, forcat amerikane kanë kryer 10 net radhazi sulme ndaj objektivave ushtarake iraniane, pasi presidenti Donald Trump shpalli fundin e armëpushimit mes dy vendeve. Sipas Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM), sulmet erdhën si përgjigje ndaj veprimeve të Iranit kundër anijeve civile në Ngushticën e Hormuzit.
Fundjavën e kaluar, tre ushtarakë amerikanë u vranë gjatë sulmeve hakmarrëse të Iranit. Trump ka deklaruar se operacionet do të vazhdojnë derisa udhëheqja iraniane të pranojë kërkesat e Shteteve të Bashkuara.
Gjatë dëshmisë së tij, Hegseth konfirmoi gjithashtu se Kina dhe Rusia po ofrojnë mbështetje për Iranin në konflikt, megjithëse nuk dha detaje, duke argumentuar se informacioni mbetet i klasifikuar.
Ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve po shqyrton një paketë të re buxhetore për financimin e luftës, senatorë republikanë kanë shprehur dyshime se fondet mund të miratohen përpara pushimeve verore të Kongresit.







