Trump: Irani ka rënë dakord për gjithçka, përfshirë dorëzimin e uraniumit të pasuruar
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi sot se Irani ka “rënë dakord për gjithçka”, përfshirë edhe largimin e uraniumit të pasuruar nga territori i tij, sipas BBC.
Në një intervistë telefonike për CBS, partner i BBC-së në SHBA, Trump u shpreh se transferimi i materialit nuk do të kërkonte praninë e trupave tokësore amerikane.
Ai shtoi se procesi do të realizohej në bashkëpunim me palën iraniane.
“Do të shkojmë dhe do ta marrim bashkë me ta, dhe më pas do ta marrim ne. Do të kemi një marrëveshje dhe nuk ka nevojë për luftë kur ka një marrëveshje”, deklaroi ai, duke shtuar se uraniumi do të transportohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Çështja e uraniumit të pasuruar është kthyer në një pikë kyçe mosmarrëveshjeje, pasi SHBA-ja dhe Irani shpallën një armëpushimin e përkohshëm javën e kaluar.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Iranit (SNSC) ka deklaruar se marrëveshja përfshin “pranimin e pasurimit të uraniumit”, ndryshe nga qëndrimi i Uashingtonit.
Uraniumi i pasuruar është material ku përqendrimi i një izotopi të caktuar është rritur; nëse pasurohet deri në 90%, ai mund të përdoret për prodhimin e armëve bërthamore.
Sipas zyrtarëve të lartë amerikanë, në fillim të konfliktit Irani zotëronte rreth 440 kilogramë uranium të pasuruar në nivelin 60%.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë iranian ka hedhur poshtë pretendimet për transferimin e uraniumit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei, deklaroi për median shtetërore se “transferimi i uraniumit në SHBA nuk ishte paraqitur si opsion” dhe se “uraniumi i pasuruar i Iranit ishte po aq i shenjtë sa toka e Iranit dhe nuk do të transferohej në asnjë rrethanë”.
Përsa i përket negociatave, Baghaei theksoi se heqja e sanksioneve mbetet prioritet kyç për Teheranin, ndërsa kompensimi për dëmet e shkaktuara konsiderohet një çështje me rëndësi të veçantë.







