×
Monday, May 25, 2026

Çadra dhe shezlongu falas me konsum, model i ri turistik në Dhërmi

May 25, 2026


Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja ka ndarë në rrjetet sociale një shembull që e cilësoi pozitiv nga sezoni turistik në Dhërmi, ku sipas tij, disa operatorë turistikë po vendosin në plan të parë cilësinë e shërbimit dhe përvojën e pushuesve.

Në postimin e tij, Gonxhja vuri në dukje rastin e një stacioni plazhi ku çadrat dhe shezlongët ofrohen falas për pushuesit që konsumojnë në ambientet e biznesit, duke e konsideruar këtë një model pozitiv për turizmin shqiptar.

“Çadra dhe shezlongu gratis nëse konsumon diçka, shembull pozitiv nga Dhërmiu, kur oferta e shërbimit vihet e para nga rëndësia, jo e kundërta”, shkroi ministri.

Ai theksoi se prioritet i institucioneve mbetet zhvillimi i një turizmi të përballueshëm dhe të aksesueshëm për çdo kategori pushuesish, duke garantuar një raport të drejtë mes çmimit dhe cilësisë së shërbimit.

“Patjetër që prioritet i yni është plazhi, pushimi, turizmi i përballueshëm, i aksesueshëm nga çdo xhep e shije, i drejtë për raportin çmim/cilësi, kosto/kënaqësi, i fiskalizuar, jo kurth”, u shpreh Gonxhja.

Ministri nënvizoi gjithashtu se qeveria po punon për të garantuar një sezon turistik më të organizuar dhe më funksional, duke përfshirë administrimin e plazheve private, atyre publike të menaxhuara nga bashkitë, si dhe zonave të virgjëra turistike.

“Sivjet kemi rritur sipërfaqet e plazhit publik, kemi investuar në sinjalistikë orientuese, në tarifa më ekonomike dhe po punojmë për administrimin e sezonit turistik në koordinim ndërinstitucional”, deklaroi ai.

Gonxhja shtoi se fokusi këtë vit është edhe promovimi i kulinarisë, trashëgimisë kulturore dhe aktiviteteve sportive, si pjesë e përvojës turistike që ofron Shqipëria.

Sipas ministrit, vendi po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një destinacion model për mikpritjen dhe turizmin e qëndrueshëm.

“Shqipëria konfirmohet bindshëm si një destinacion model i mikpritjes, me operim gjithëvjetor të mirëstrukturuar dhe me ndërgjegjësim në rritje për vlerën e një qasjeje afatgjatë në biznes dhe në zhvillimin e një tregu të qëndrueshëm”, shkroi ai.

Në fund të reagimit të tij, Gonxhja theksoi se natyra, qetësia, pastërtia dhe relaksi mbeten objektivat kryesore të zhvillimit turistik në vend, duke shtuar se mbrojtja e vijës bregdetare, liqenore dhe lumore konsiderohet një prioritet kombëtar.




Comments are closed.