Rama: Shqipëria përpara në rrugën drejt BE-së – publikon të dhëna për mjedisin mediatik
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se vendi po shkon drejt një tjetër hapi të rëndësishëm në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, ndërsa është nisur për në Bruksel.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Rama theksoi se një pjesë thelbësore e këtij procesi lidhet me gjendjen e mjedisit mediatik në Shqipëri, duke shtuar se kjo çështje po trajtohet në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Bashkimit Evropian.
Ai u ndal edhe te një analizë e përgatitur, sipas tij, përmes një modeli të inteligjencës artificiale të zhvilluar nga një start-up shqiptar, duke pretenduar se të dhënat tregojnë një tablo më të balancuar të medias në vend, në raport me perceptimet për një “mjedis të kapur”.
Sipas tij, analiza me një periudhë monitorimi 120-ditore, që përfshin mbi 106 mijë artikuj nga 47 media, sugjeron se ndikimi i opozitës në hapësirën mediatike është i lartë dhe se balanca e zërit publik nuk përputhet me narrativën e një dominance të plotë qeveritare.
Rama pretendoi se të dhënat tregojnë se:
- Pjesa e zërit të opozitës arrin 68.2%,
- Ndërsa qeveria ka 31.8% të dukshmërisë mediatike,
- Kritika ndaj qeverisë është dukshëm më e lartë se mbulimi pozitiv.
Sipas tij, këto tregues nuk përputhen me idenë e një sistemi mediatik të kontrolluar, duke argumentuar se edhe në media të konsideruara pranë qeverisë, opozita ka prani të konsiderueshme.
“Nuk është një realitet ku zërat e opozitës mungojnë apo ku kritika heshtet”, u shpreh Rama në reagimin e tij, duke shtuar se të dhënat janë të matshme dhe të bazuara në një kampion të gjerë artikujsh.
Në fund të mesazhit, kryeministri u shpreh se do të vijojë të ndajë analiza të ngjashme në të ardhmen, në kuadër të debatit mbi standardet demokratike dhe lirinë e medias në Shqipëri.







