Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë pranë fitores ndaj Iranit, ndërsa theksoi se Uashingtoni po i jep Teheranit mundësi për të arritur një marrëveshje diplomatike dhe për të shmangur humbje të mëtejshme jetësh, raporton CBS News.
Trump i bëri deklaratat gjatë një bisede telefonike me ushtarakët amerikanë të dislokuar jashtë vendit, me rastin e festës së Falënderimeve.
“Fitorja është e arritshme në Iran. Po u japim të gjitha mundësitë për të arritur një marrëveshje dhe për të shpëtuar jetë njerëzish, por nuk jam i sigurt nëse do të përfitojnë nga kjo mundësi”, deklaroi presidenti amerikan.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë vuri në pikëpyetje gatishmërinë e udhëheqjes iraniane për të pranuar një zgjidhje diplomatike, duke pohuar se SHBA-ja ruan kontrollin mbi kohëzgjatjen e angazhimit të saj ushtarak në rajon.
Trump konfirmoi se prania ushtarake amerikane do të vazhdojë, ndërsa përsëriti se një nga objektivat kryesore të administratës së tij mbetet pengimi i Iranit për të siguruar armë bërthamore.
Presidenti amerikan vlerësoi gjithashtu rolin e forcave detare në zbatimin e bllokadës ndaj Iranit dhe bëri të ditur se Uashingtoni ka përforcuar praninë ushtarake në rajon me dërgimin e një aeroplanmbajtëseje tjetër.
Në një prononcim për gazetarët, Trump konfirmoi kontaktet e zhvilluara ditët e fundit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ndërsa paralajmëroi për mundësinë e goditjeve të reja ndaj objekteve bërthamore iraniane në rast të rifillimit të veprimeve ushtarake.
Deklaratat vijnë në një kohë kur tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit mbeten të larta, ndërsa administrata amerikane vijon të ushtrojë presion ushtarak dhe ekonomik në përpjekje për të arritur një marrëveshje diplomatike.


