Gjermani, konservatorët e Merz humbasin terren, AfD kryeson sondazhet me 28%

27 Nov 2026 • 18:35
Shpërndaje:

Blloku konservator CDU/CSU i kancelarit gjerman Friedrich Merz ka shënuar një tjetër rënie në sondazhet e opinionit publik, ndërsa partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) vijon të kryesojë me 28% të mbështetjes.

Sipas sondazhit të institutit “Forschungsgruppe Wahlen”, të realizuar për televizionin publik gjerman ZDF, nëse zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin këtë të diel, CDU/CSU do të siguronte 21% të votave, një pikë përqindjeje më pak krahasuar me dy javë më parë.

AfD ruan avantazhin prej shtatë pikësh përqindjeje ndaj konservatorëve, ndërsa Partia Socialdemokrate (SPD), partnere në koalicionin qeverisës, ka shënuar një rritje me një pikë, duke arritur në 14%.

Reklamë Ola

Të Gjelbrit mbeten të pandryshuar në 15%, ndërsa partia E Majta (Die Linke) gëzon mbështetjen e 10% të elektoratit. Partia Liberale (FDP) do të siguronte vetëm 3% të votave, duke mbetur nën pragun elektoral për përfaqësim në Bundestag.

Sipas rezultateve të sondazhit, koalicioni aktual qeverisës mes CDU/CSU dhe SPD nuk do të arrinte të siguronte shumicën parlamentare nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin tani.

Reklamë InterMedika

Anketa u realizua nga 24 deri më 26 nëntor, me pjesëmarrjen e 1 245 qytetarëve me të drejtë vote, të përzgjedhur në mënyrë rastësore. Të dhënat u mblodhën përmes intervistave telefonike dhe pyetësorëve online, ndërsa marzhi i gabimit vlerësohet në dy deri në tri pikë përqindjeje.

Autorët e sondazhit paralajmërojnë se ndryshimet e shpeshta të preferencave elektorale dhe dobësimi i besnikërisë tradicionale ndaj partive politike shtojnë pasigurinë e parashikimeve për zgjedhjet e ardhshme.