Trump dhe Macron takohen sot në Nju Jork, në fokus krizat ndërkombëtare

21 Sep 2026 09:07
Shpërndaje:

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të takohet këtë pasdite në Nju Jork me presidentin francez Emmanuel Macron, ku të dy liderët ndodhen për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sipas agjendës së publikuar nga Shtëpia e Bardhë, takimi është planifikuar për në orën 17:35, sipas kohës lokale. Bisedimet pritet të përqendrohen te zhvillimet ndërkombëtare dhe krizat kryesore me të cilat po përballet komuniteti ndërkombëtar.

Përpara takimit me Macronin, Trump pritet të zhvillojë një bisedë me kryebashkiakun e Nju Jorkut, Zohran Mamdani, për çështje që lidhen me qytetin dhe banorët e tij. Mamdani i përket krahut të majtë të Partisë Demokratike dhe ka kundërshtuar disa prej politikave të presidentit amerikan.

Reklamë Ola

Macron mbërrin në Nju Jork pas vizitës në Saint-Pierre-et-Miquelon, territor francez në Atlantikun e Veriut, ku u takua të dielën me kryeministrin kanadez Mark Carney.

Gjatë takimit, Macron dhe Carney mbrojtën sovranitetin e vendeve të tyre dhe u angazhuan për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Francës dhe Kanadasë. Ata diskutuan zgjerimin e bashkëpunimit në mbrojtje, energji, hapësirë, telekomunikacion dhe teknologjitë e reja.

Reklamë InterMedika

Takimi u zhvillua në një periudhë tensionesh mes Uashingtonit dhe Otavës, pas deklaratave dhe kërcënimeve të përsëritura të Trumpit lidhur me Kanadanë. Macron mbështeti gjithashtu afrimin e mëtejshëm të Kanadasë me Bashkimin Evropian.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, presidenti francez pritet të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe. Përveç Trumpit, në agjendën e tij është edhe një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe bisedime me udhëheqës të tjerë për luftën në Ukrainë dhe situatën në Lindjen e Mesme.

Në fjalimin para Asamblesë së Përgjithshme, Macron pritet të mbrojë forcimin e bashkëpunimit shumëpalësh dhe të aleancave ndërkombëtare. Presidenca franceze ka shprehur shqetësim për dobësimin e mekanizmave shumëpalësh dhe përçarjet mes pesë vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Trump ka gjithashtu një agjendë të ngjeshur takimesh gjatë qëndrimit në Nju Jork, ku pritet të diskutojë me liderë botërorë për konfliktet ndërkombëtare, sigurinë dhe marrëdhëniet ekonomike.