Tirana mirëpret paradën e Vespa-ve, pjesëmarrës nga 6 vende

09 Oct 2026 • 11:41
Shpërndaje:

Qindra të apasionuar pas motorëve Vespa nga gjashtë vende do të mblidhen të shtunën, më 10 tetor, në Tiranë, për edicionin e 13-të të “Vespa Parade Tirana 2026”.

Aktiviteti do të sjellë në kryeqytet pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia dhe Italia, duke ndërthurur pasionin për motorët klasikë me kulturën, miqësinë dhe solidaritetin.

Festimet do të përqendrohen në sheshin “Skënderbej”, ku është planifikuar edhe një instalacion simbolik prej 600 metrash katrorë, kushtuar miqësisë mes Shqipërisë dhe Italisë.

Reklamë Ola

Edicioni i këtij viti ka një rëndësi të veçantë, pasi përkon me 80-vjetorin e krijimit të Vespa-s dhe 80-vjetorin e Republikës Italiane.

Parada në rrugët e Tiranës dhe mesazhe për Tetorin Rozë

Reklamë InterMedika

Përveç karakterit festiv, aktiviteti do t’i kushtojë vëmendje edhe ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, në kuadër të fushatës “Tetori Rozë”.

Pjesëmarrësit do të vendosin fjongo rozë në Vespa-t e tyre, si simbol solidariteti dhe për të përcjellë mesazhin e rëndësisë së diagnostikimit të hershëm.

Programi do të nisë në orën 11:00 me mbërritjen dhe regjistrimin e pjesëmarrësve në sheshin “Skënderbej”.

Nga ora 16:00 deri në 18:00, motorët Vespa do të parakalojnë në rrugët kryesore të kryeqytetit, ndërsa më pas aktiviteti do të vijojë me ceremoni festive dhe muzikë live.

Në skenë do të performojnë artistët Xhesika Polo dhe Mateus Frroku.

“Vespa Parade Tirana 2026”, që zhvillohet me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, synon të promovojë shkëmbimet kulturore dhe miqësinë mes vendeve pjesëmarrëse, duke e kthyer kryeqytetin në një pikëtakim për adhuruesit e Vespa-s.