Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas tensioneve që shoqëruan protestën e studentëve në Tiranë, duke u bërë thirrje protestuesve dhe institucioneve të tregojnë përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje.
Përmes një postimi në Facebook, kreu i shtetit shprehu shqetësimin për përshkallëzimin e situatës, duke theksuar se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një nga parimet themelore të demokracisë dhe duhet të garantohet nga shteti.
Megjithatë, Begaj nënvizoi se dhuna nuk mund të shërbejë si mjet për të shprehur pakënaqësinë, ndërsa edhe ndërhyrjet e policisë duhet të respektojnë kufijtë ligjorë dhe parimin e proporcionalitetit.
“E drejta për protestë paqësore është themel i demokracisë dhe detyrim i shtetit për ta garantuar. Por dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë, as përdorimi i forcës nga policia nuk duhet të dalë jashtë kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit”, deklaroi Presidenti.
Ai kërkoi që të gjitha palët të respektojnë Kushtetutën dhe ligjin, duke theksuar se situata kërkon më shumë përgjegjësi dhe dialog.
“Në këtë moment, vendit i duhet më shumë përgjegjësi. Kushtetuta dhe ligji duhet të mbeten kufiri i të gjithëve, pa përjashtim”, u shpreh Begaj.
Presidenti shprehu gjithashtu gatishmërinë për të dëgjuar shqetësimet e studentëve dhe qytetarëve, duke bërë të ditur se institucioni i Presidencës mbetet i hapur për dialog.
“Zyra ime është dhe do të mbetet e hapur për çdo të ri e çdo qytetar që dëshiron të shprehet, të dialogojë dhe të kontribuojë për të mirën e vendit”, përfundoi kreu i shtetit.


